Ballina Flash

Rushaj: U shkel rregullorja, u zvogëlua hapësira e opozitës

TIRANË 13 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj në një deklaratë për mediet ka reaguar në lidhje me largimin e opozitës nga Kuvendi në seancën e sotme plenare, duke deklaruar se u shkel rregullorja dhe u zvogëlua hapësira e opozitës.

Ai tha se sot duhej të ishte një seancë rutinë, normale e Kuvendit, ku secila prej forcave politike duhej të zinte vendin e vet në komisionet parlamentare për të bërë detyrën e vet në këtë Kuvend. “Për fat të keq, që në seancën e parë me të dyja këmbët u shkel rregullorja”.

“Dhe u shkel për çfarë? U shkel rregullorja për të zvogëluar hapësirën e përfaqësimit të opozitës së Kuvend. Kjo është e papranueshme, kjo është diçka që nuk duhet ta bëjë askush. Prandaj i bëjmë thirrje së pari kryetares së Kuvendit, së dyti, grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të zbatojnë rregulloren. Nuk mundet që në asnjë mënyrë të zvogëlojnë hapësirën e përfaqësimit të opozitës në Kuvend. Nuk mundet dhe nuk do ta bëjnë që të zvogëlojnë zërin e opozitës në Komisionet Parlamentare. Detyra jonë është të marrim pjesë atje, të ngremë zërin e qytetarëve dhe të bëjmë opozitën. Ne do të ndjekim çdo rregullore, por ajo çfarë unë jam sot këtu për të thënë, është që Partia Socialiste nuk mundet dhe nuk do ta lejojmë që në mënyrë të hapur të shkel rregulloren”, tha ai.

Po ashtu Rushaj shtoi se “nuk kemi pasur komunikim me LSI, pranuam kërkesën e LSI që ata të mund të marrin kohë në këtë seancë që dhe ata të zënë vendin e tyre. Kjo ishte kërkesa jonë që u refuzua nga Partia Socialiste”.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbërrijnë edhe 31,590 doza Pfizer, mbi 2 milionë vaksina antikovid deri tani
Artikulli tjetërOpozita largohet nga seanca plenare, Balla: Koha për sherrnajë ka përfunduar