Ballina Kosova

Kosovë-Serbi, punime në tri pikat e përbashkëta kufitare

Prishtinë, 17 gusht /ATSH/ – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi, gjatë një takimi sot me udhëheqësin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), Brendan Keirnan, diskutuan mbi ecurinë e zhvillimit të punimeve të tri pikave të përbashkëta kufitare me Serbinë – në Merdare, Mutivodë dhe Bernjak, në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit.

Sipas njoftimit për shtyp të MPB-së kosovare, gjatë takimit u vlerësua se punët në pikën kufitare në Merdare dhe Mutivodë janë shumë afër përfundimit. Këto pika kufitare do të jenë moderne dhe me standarde europiane, ku do t’iu mundësohet qytetarëve lëvizja e lirë.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën shqetësimin e tyre për ndërprerjen e punimeve në pikën kufitare të Bërnjakut (në veri të Kosovës).

Ministri Gashi u zotua se këtë çështje do ta adresojë edhe në nivelin më të lartë, me qëllim që kjo pikë kufitare të modernizohet dhe të lehtësohet kalimi i qytetarëve dhe mallrave.

Ai falënderoi Keirnan për punët që janë realizuar dhe siguroi se të gjitha sfidat e identifikuara do të trajtohen me prioritet.

Gjithashtu, në këtë takim u dakorduan që edhe në të ardhmen të vazhdohet bashkëpunimi mes MPB-së dhe UNOPS për projekte të tjera. /k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPrishtinë – Ahmeti kërkon fillimin e procedurave për ndërtimin e impiantit për ujërat e zeza
Artikulli tjetërFUTBOLL – Pas 25 vitesh Markizio i jep lamtumirën “Juventusit”