UASHINGTON, 9 shtator /ATSH-MIA/ – Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Ostin konsideron se organizata terroriste e Al Kaedës, e cila e shfrytëzoi Afganistanin si bazë për sulmin ndaj SHBA-së para 20 viteve, mund të përpiqet t’i ripërtërijë operacionet pas tërheqjes së SHBA-së dhe marrjes së pushtetit nga ana e talebanëve.
Ostin sot pati takim me gazetarët në Kuvajt në fund të turnet katërditor në vendet e Gjirit dhe theksoi se ”SHBA-ja është e gatshme ta parandalojë kthimin e Al Kaedës në Afganistan”.
Talebanët i dhanë strehim Al Kaedës gjatë sundimit të saj në Afganistan nga 1996 deri në 2001, ndërsa SHBA-ja e sulmoi pasi ata refuzuan të dorëzonin udhëheqësit terroristë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Gjatë luftës 20-vjeçare me SHBA-në, Al Kaeda është zvogëluar ndjeshëm.
Zyrtarët amerikanë besojnë se talebanët kanë lidhje me Al Kaedën dhe shumë vende, përfshirë botën arabe dhe vendet e Gjirit janë të shqetësuara se kthimi i tyre në pushtet mund të hapë derën për të ringjallur ndikimin e organizatës terroriste. /os/






















