VILNIUS, 5 shtator /ATSH-AFP/ – Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Margaritis Schinas theksoi se shpresonte që fluksi i paligjshëm i migrantëve në kufijtë lindorë të Bashkimit Evropian do të shërbente si një katalizator për vendosjen e rregullave të përbashkëta mbi migracionin.
Schinas vizitoi dje kufirin lituanezo-bjellorus të dobësuar nga një rritje e mprehtë e flukseve të paligjshme migruese nga Bjellorusia.
“Situata këtu paraqet një mesazh tjetër për ne në Bashkimin Evropian. Tashmë është koha për të kaluar në një kuadër më të parashikueshëm dhe gjithëpërfshirës evropian për politikën e migracionit”, theksoi Schinas.
“Tani është momenti politik për të kaluar nga një operacion zjarrfikës në një operacion arkitektonik”, shtoi ai.
Komisioni Evropian kishte propozuar një pakt të ri mbi migracionin dhe azilin në vitin 2020, në mënyrë që të zhvillonte një politikë të përbashkët mbi këto çështje.
BE tani është gjithnjë e më e shqetësuar për fluksin e mundshëm të emigrantëve nga Afganistani, pasi talebanët morën kontrollin e vendit në mes të gushtit./ /ec/












