Ballina Flash

Vrasja në Ferizaj, reagime

PRISHTINË, 23 gusht /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizajt.

Osmani në reagimin e saj shprehet se për vajzën 18- vjeçare që e vranë në Ferizaj duhet të ketë drejtësi.

“Vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë. Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund. Si Presidente e vendit i bëjë thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaji. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave. Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave. Familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës së ndjerë u shprehu ngushëllime të sinqerta! Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi”, shprehet ajo.

Sipas saj, drejtësinë ua kemi borxh secilës vajzë e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë.

Kurti: Ta ndalim dhunën ndaj grave

“Një 18-vjeçareje dje iu ndalën përgjithmonë dëshirat dhe ëndrrat. Ajo nuk e humbi jetën në aksident trafiku apo konflikt lufte. Jeta e saj u shua dhunshëm në mjedisin ku çdo njëri nga ne duhet të ndihet i dashur, i respektuar e mbi të gjitha i mbrojtur”, shprehet kryeministri Albin Kurti.

“Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur. Na duhet angazhim maksimal i institucioneve dhe çdo njërit nga ne për të respektuar te drejtën për të gëzuar jetën, për ta jetuar atë dinjitetshëm dhe për të realizuar aspiratat legjitime”, tha Kurti.

“Nëna dhe baballarë, vëllezër dhe motra, mësues dhe mësuese, zyrtarë të rendit dhe të mbrojtjes së ligjit, qytetarë dhe qytetare të Kosovës, ta ndalim dhunën ndaj grave, t’i edukojmë bijtë e vëllezërit tanë se dhuna nuk është gjuhë e pranueshme komunikimi, se dhuna është turp që sjellë tragjedi dhe se është e dënueshme me ligj”, shprehet ai.

“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që ta vënë vrasësin e dyshuar të Marigonës sa më shpejtë para drejtësisë”, thekson Kurti në reagimin e tij.

“U bëj thirrje të gjitha nënave, bashkëshorteve, motrave e vajzave, që të lajmërojnë në polici rastet e dhunës, si edhe mosveprimin institucional për rastet e lajmëruara. Mos heshtni!”, apelon ai.

“Ne nuk mund të jemi spektatorë ndaj të ardhmes sonë. Kemi obligim moral, kushtetues, institucional që të mbrojmë jetën dhe dinjitetin e secilës viktimë të dhunës në familje”, përfundon reagimin e tij Kurti.

Kryeprokurori Jashari: Të përfshirët në këtë rast do dalin para drejtësisë

“Personi me inicialet D.K i njohur për Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë i cili ka një numër jashtëzakonisht të madh të rasteve mirëpo të gjitha rastet janë të mbyllura, ka qenë i dyshuar dhe akuzuar për vrasje për raste të natyrave të ndryshme penale…Personi me inicialet A.S është ngrit një aktakuzë ndaj tij ne vitin 2013 për tentim vrasje dhe ende nuk është mbajt shqyrtimi kryesor, dhe shqyrtimi kryesor sa i përket kësaj çështje penale të tentim vrasjes është i caktuar më 23 shtator të këtij viti”, tha Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

Jashari ka bërë të ditur se janë në pritje të rezultateve të autopsisë për të qartësuar shkakun e vdekjes së 18-vjeçares.

“Për momentin shkaktari i vdekjes nuk dihet për shkak se është bërë autopsia dhe ende nuk e kemi pranuar raportin e autopsisë për të caktuar shkaktari i vdekjes çka është”, tha ai.

Kryeprokurori Jashari duke bërë të ditur se lidhur me vrasjen e 18 vjeçares M.O, deri më tani është arrestuar një person, derisa ka shtuar se janë në koordinim me zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Policinë e Kosovës për të arrestuar të dyshuarin e dytë, për të cilën ka theksuar se ka prova të mjaftueshme.

“Në momentin kur Policia e Kosovës më ka dërguar foto, unë së bashku me shefin e hetimeve rajonale kemi dyshuar me një person, 99% kemi dyshuar që personi është person i njohur mirëpo nuk kemi guxu me përhap në opinion për shkak se cili është personi, derisa e kemi vërtetuar me fakte që është personi i njëjtë, kurse sa i përket veturës me tabela zvicerane personi me iniciale A.S jeton me vendbanim të përkohshëm në Zvicër dhe dyshohet se ka qenë në veturë zvicerane, mirëpo fillimisht edhe unë kam dhënë deklaratë tabelat kanë qenë të padëshifruara, nuk kanë qenë të sakta a kanë qenë zvicerane a jo, por çka është më re rëndësishme është se se personat janë identifiku dhe janë zbuluar, njëri është arrest, dhe shumë shpejtë është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit dhe personi tjetër me iniciale D.K shumë shpejtë do të arrestohet nga ana e policisë”, thekson Jashari.

Kryeprokurori ka siguruar familjen e viktimës se Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar këtë çështje me seriozitet të lartë dhe së shpejti të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë rast do të dalin para drejtësisë.

Dy të rinj në Kosovë kanë lënë të vdekur një 18-vjeçare në derën e spitalit në Ferizaj pasi e kanë dhunuar fizikisht dhe si pasojë e goditjeve ka ndërruar jetë. Policia ka arrestuar një nga personat e dyshuar, shtetasin A.S, 32-vjeç dhe ka shpallur në kërkim shtetasin Dardan Krivaqën, 29 vjeç.

Dy të rinjtë janë kapur nga pamjet e kamerave të sigurisë, kur lënë 18-vjeçaren pa shenja jete në dyert e spitalit e pastaj largohen me një makinë ‘Audi A8’ me targa zvicerane me ngjyrë të zezë.

Në komunikatë për mediat, thuhet se i dyshuari, A.S. 32 vjeçar, është intervistuar dhe pastaj ndaj tij është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Sipas prokurorisë, A.S dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, bashkë me të dyshuarin, Dardan Krivaqës. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSiguria ushqimore, 151 kontrolle dhe 32 masa administrative ndaj bizneseve
Artikulli tjetërShqipëri- SHBA, marrëveshje kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore