PRISHTINË, 16 gusht/ATSH/- Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, zhvilloi sot një bisedë telefonike me raportuesin e Parlamentit Europian për Kosovën, Igor Sholtes, me të cilin diskutoi hapat e ardhshëm për procesin e liberalizimit të vizave duke pasur parasysh faktin se tashmë i gjithë procesi është në duart e institucioneve të BE-së pas plotësimit të kritereve nga ana e Kosovës.
Gjatë bisedës telefonike ministrja Hoxha e informoi Sholtes se Kosova po vazhdon reformat dhe zbatimin e MSA-së dhe kërkoi që procesi i vendimmarrjes sa i përket liberalizimit të vizave të përshpejtohet.
Ministrja Hoxha theksoi se qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se janë në prag të liberalizimit të vizave dhe po presin me padurim lëvizjen e lirë.
Ajo po ashtu e njohu Sholtes për fushatën e vetëdijesimit për liberalizimin e vizave të cilën e ka filluar Ministria e Integrimit Europian, me theks të veçantë informimin e qytetarëve sa i përket asaj se çfarë nënkupton liberalizimi i vizave, si dhe sanksionet që mund të pasojnë në rast të keqpërdorimit.
Ministrja Hoxha ofroi mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve të vendit në mënyrë që procesi i vendimmarrjes të jetë sa më i shpejtë dhe pritshmëritë e qytetarëve për lëvizjen e lirë deri në fund të vitit të plotësohen.
Në anën tjetër, Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Sholtes e falënderoi ministren Hoxha për angazhimin e saj gjatë gjithë procesit dhe e siguroi se ka mbështetjen e plotë për të përshpejtuar vendimmarrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Sholtes, po ashtu e njohu ministren për hapat e ardhshëm, për takimin e Komitetit LIBE më datën 29 gusht, ku liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në axhendë dhe jemi optimist që të marrë dritën e gjelbër për të ecur tutje./k.s/











