TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Në bashkinë e Pukës vijon puna për shuarjen e zjarreve të rëna ditët e fundit.
Konkretisht në vatrën e zjarrit, vendi i quajtur Qershizë, Fushë Kumulli po punohet për shuarjen e flakëve, por era e fortë e vështirëson punën e forcave të angazhuara në terren.
Sipas bashkisë, zjarri mbetet aktiv në një vijë lineare prej 6 km, sipërfaqe me pyll pishe dhe barishte.
“Nisur nga eksperienca e ditëve të kaluara, zjarri zgjeron intensitetin në orët e drekës, çfarë shpresojmë mos të ndodhë dhe sot”, thekson bashkia.
Aktualisht në terren janë të angazhuara forcat e Ushtrisë, Shërbimi Pyjor dhe ai Zjarrfikës.
Gjatë ditës së sotme u bë e pamundur ndërhyrja nga ajri për shkak se helikopterët e angazhuar po kryejnë operacione në bashkitë e tjera ku zjarret janë pranë zonave të banuara.
/k.s/j.p/




















