Ballina Flash

Gërmimet po nxjerrin në dritë vilën romake të Tiranës

TIRANË, 9 gusht/ATSH/ Ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri të ditur sot se po del në dritë e plotë vila romake e Tiranës, apo e njohur ndryshe si Mozaiku i Tiranës.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Trashëgimisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës dhe Universitetin e Tiranës kanë rinisur gërmimet në këtë zonë, e cila është zbuluar në vitet ’70 gjatë punimeve për ndërtimin e disa blloqe pallatesh, në lagjen “21 Dhjetori”.

Ministrja thekson se ky projekt, që ka për qëllim jo vetëm zbulimin e plotë të vilës, që daton në shek. II-III pas Krishtit, por edhe promovimin e saj si një nga hapësirat më tërheqëse për turistët vendës e të huaj, po ndjek rrugën e mjeshtrave të arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore si prof. Skënder Anamali, prof. Aleksandër Meksi e prof. Skënder Muçaj.

Studentët pjesëmarrës do të pajisen me një certifikatë trajnimi dhe kualifikimi për gërmimin arkeologjik.

Mozaiku i Tiranës është një pikë shumë e rëndësishme referimi në Shqipëri dhe mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit.

Në shek. III pas Krishtit vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.

Më vonë në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit) edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme. Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë.

Gjatë transformimit të banesës në objekt kulti janë përdorur tulla, me simbole kryqesh, të datuara këto në periudhën e Perandorit Kostandin I (306-337). Ambientet ndihmëse në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur nga ato të banesës.

Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.

Vila Rustica dhe kisha paleokristiane të njohura ndryshe si Mozaiku i Tiranës, janë një shembull shumë domethënës i lashtësisë së këtij territori që u zbulua rastësisht në vitin 1972, gjatë ndërtimit të një blloku pallatesh.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Green Pass bëhet e detyrueshme në Francë
Artikulli tjetërDekorata “Nderi i Kombit” për xhudistet, D’Istria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe trajnerin, Driton Kuka