Ballina Aktualitet

Zjarret në vend, Kim: Ekspertë amerikanë, në mbështetje të FA-së

TIRANË, 8 gusht/ATSH/- Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se kanë mbërritur ekspertë amerikanë të luftës kundër zjarreve për të mbështetur Forcat e Armatosura shqiptare.

Kim shprehet se Ambasada Amerikane është e pikëlluar nga shkatërrimi i shkaktuar nga zjarret në jug.

“Ashtu si të gjithë në Shqipëri, Ambasada Amerikane është e pikëlluar nga shkatërrimi i shkaktuar nga zjarret në jug. Për të ndihmuar, ekspertë amerikanë zjarrëfikës mbërritën këtë fundjavë për të mbështetur përpjekjet e Forcave të Armatosura Shqiptare. Përveç kësaj ndihmë nga  USAID-i, pajisje të  dhuruara më parë nga Komanda e SHBA-së në Europë, përfshirë “kovat Bambi” për helikopterë, kostume zjarrfikësish, sëpata, lopata, pajisje personale mbrojtëse, etj., po përdoren për të shpëtuar jetët, shtëpitë dhe bizneset. Së bashku më të fortë. Krah për krah”, shprehet ambasadorja e SHBA.

Edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën të ditur se “duke marrë parasysh situatën e vështirë të Shqipërisë në luftë me zjarret, mbërritën sot përfaqësues/ ekspertë nga ekipi i USAID-it, për dhënien e mbështetjes teknike në fushën e zjarreve në pyje. Përfaqësuesit e tjerë nga ekipi, mbërrijnë nesër”. Kjo asistencë teknike është në kuadër të “Programit të Mbështetjes për Ndihmën ndaj Fatkeqësive”, i cili është një program bashkëpunues ndërmjet Byrosë së USAID për ndihmën humanitare dhe Shërbimit Pyjor të SHBA.

Tre ekspertët teknikë nga SHBA do të bashkëpunojnë me ekspertët shqiptarë për dhënien e ekspertizës dhe eksperiencës në operacionin kundër shuarjes së zjarreve në territorin e Shqipërisë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDuma: Korrupsioni i regjimit na la vetëm me një helikopter për shuarjen e zjarreve
Artikulli tjetërCOVID-19 – Varianti i ri Lambda përhapet në Amerikën Latine, pak raste në Evropë