Ballina Aktualitet

Eleminohet rreziku në vatrat e zjarrit në Dukat e Gjirin e Gramës

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Eleminohen rreziku në vatrat e zjarrit në Dukat dhe Gjirin e Gramës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, ku ndër të tjera thekson se, “po vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në të gjithë sipërfaqen e prekur në Gadishullin e Karaburunit, në qarkun e Vlorës”.

Gjithashtu është shuar zjarri pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, në bashkinë Finiq, duke shmangur rrezikun për banesat.

Zjarri në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier po mbahet nën kontroll, ndërsa ka vijuar puna me helikopterin çek për shuarjen përfundimtare të tij.

Në Kepin e Rodonit, në Durrës është raportuar një vatër zjarri, për të cilën po vijon puna për vënien nën kontroll nga forcat në terren. Nuk paraqitet rrezikshmëri.

Një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është raportuar në malin e Xhyrës, në bashkinë e Librazhdit. Ai po shuhet nga forcat zjarrfikëse të bashkisë.

Zjarri në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë ka vijuar të zgjerojë perimetrin, duke shkaktuar tym në të gjithë kodrën. Forcat po punojnë për të ndërprerë vijën e zjarrit në afërsi të rrugëve të fshatit. Ndërkaq është izoluar plotësisht zjarri në fshatin Munellë-Domgjon, bashkia Mirditë.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se, “vijon të paraqitet e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit në Majën e Rrunës, në Kukës, ku forcat po punojnë për të mos lejuar përhapjen e flakëve në zonat e banuara”.

Nën kontroll mbeten flakët në fshatin Klysyrë të bashkisë Tropojë si dhe në Vermosh të Malësisë së Madhe.

Zëvendëskryeministri Erion Braçe përmes një reagimi ka bërë të ditur se super beteja nga ajri kundër zjarreve vijon dhe sot.

Ai thekson se, duhet betejë e ashpër ligjore kundër zjarrëvënësve pa toleruar kërkend.

“Super betejë nga ajri kundër zjarreve edhe sot. Por nëse duhet ti japim fund zjarreve, duhet betejë e ashpër ligjore kundër zjarrëvënësve në tokë pa toleruar kërkend, në kohë reale pa e lënë të ikë si “i kërkuar””, shprehet Braçe.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇuçi paralajmëron zjarrvënësit: Do përballeni të gjithë me ligjin
Artikulli tjetërFacebook prezanton syzet VR me shikim transparent