Ballina Flash

Vijojnë punimet për përforcimin e Kullës në Kalanë e Durrësit

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bën të ditur se vijon puna në kalanë e Durrësit, e cila në vitin 2019 pësoi dëmtime të konsiderueshme nga tërmeti.

Margariti shprehet se “me gjithë temperaturat e nxehta vijon puna konservuese dhe përforcuese në Kullën C në Kalanë e Durrësit, e dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019. Një projekt që nisi me mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, mbështetjes shkencore të Fondit Botëror të Monumenteve dhe Ministrisë të Kulturës”.

Ministrja thekson se procesi i punës që po ndiqet me përkushtim në këtë monument të rëndësishëm.

“Zbatuesit e këtij projekti, CHwB Albania kanë realizuar tashmë stabilizimin emergjent, me qëllim parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme në monument. E po ashtu një seri analizash, për të përcaktuar ndërhyrjet konservuese, që kanë nisur me konsolidimin dhe riparimin e murit të themeleve me teknika tradicionale”, thekson ministrja.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakANKARA – Turqia vë nën kontroll rreth 90 për qind të zjarreve
Artikulli tjetërRevista “Arkivat shqiptare”, Drejtoria e Arkivave ftesë studiuesve