TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Rreth 14.3 kilogramë kokainë është sekuestruar sot në një automjet tip “Benz” me drejtues shtetasin B. R, në pikën kufitare të Muriqanit, në Shkodër.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare, në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në kuadër të operacionit policor “Perëndimi”, kanë kaluar në vijën e dytë në dalje automjetin, duke e shoqëruar për një kontroll më të specializuar në Portin e Durrësit. Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në automjet në pjesën e kroskotit ishin fshehur pako me lëndë të dyshuar si kokainë me peshë rreth 14.3 kilogramë”, bën të ditur Policia e Shtetit.
Sipas Policisë së Shtetit, u arrestua në flagrancë shtetasi B. R., 42 vjeç, banues në Durrës, drejtues i automjetit.
Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
/a.a/r.e/












