TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Në të gjitha qendrat shëndetësore si edhe në pikat e vaksinimit të ngritura në kuadër të fushatës “Shqipëria Buzëqesh”, ka nisur sot java e hapur e vaksinimit masiv të qytetarëve mbi moshën 18 vjeç.
ATSH ishte sot në qendrën e vaksinimit pranë stadiumit kombëtar “Air Albania”, ku qytetarë të moshave të ndryshme ishin paraqitur pranë këtyre ambienteve për të marrë dozën e parë apo edhe dozën e dytë të vaksinës anti-COVID.
“Erdha me dëshirë, e kam kaluar edhe kovidin, por dua të bëj edhe vaksinën, sepse po afron viti që e kam kaluar. Është doza e parë. Nuk ka pasur vonesa, sepse sapo erdha dhe më erdhi radha dhe besoj do të mbarojmë shumë shpejt. Mjekët thonë që edhe ne që e kemi kaluar kovidin duhet ta bëjmë, sepse jemi edhe më të mbrojtur. Prandaj kemi ardhur. Jam e mendimit që të gjithë duhet ta bëjmë vaksinën që të jemi më të mbrojtur”, shprehet për ATSH një qytetare, e cila po priste në radhë për t’u vaksinuar.
Në ambientet e stadiumit “Air Albania”, sot vihej re prezenca e moshave të reja të cilat ishin në pritje për t’u vaksinuar.
“Jam 29 vjeçe dhe erdha për të bërë vaksinën. Po bëj dozën e parë dhe mendoj që si gjithë popullsia duhet ta bëj edhe unë. Nuk pati vonesa, sapo na bënë procedurat e para dhe na morën të dhënat. Tani duhet të bëjmë intervistën. S’kemi rrugëzgjidhje tjetër, sepse në një moment apo një tjetër do të na kërkohet për udhëtime apo për procedura të ndryshme kështu që po e bëj vetë pa m’u kërkuar. Përderisa në qarkullim ka edhe viruse të tjera, të paktën të qetësojmë veten nga ana psikologjike”, u shpreh 29-vjeçarja.
Ndërsa një tjetër vajzë, e cila gjithashtu ishte në radhë për t’u vaksinuar, u drejtoi një apel të gjithë të rinjve që të vaksinohen.
“Është doza e parë dhe në kuadër të ditëve të hapura për vaksinimin e popullatës mbi 18 vjeç, sot kam ardhur të mbaj radhën me bashkëqytetarët. Unë jam 30 vjeç dhe do të marr dozën e parë. Nuk ka vonesa dhe është një gjë shumë e shpejtë dhe e shkurtër, që nuk i merr kohë askujt, por që mund të shpëtojë jetë. Të marrësh 10 minuta nga koha jote është një matematikë që ia vlen. Ky është një makth, një ëndërr e keqe që po e përjeton e gjithë bota dhe besoj se nëse të gjithë bashkë vaksinohemi dhe arrijmë imunitetin, do ta shporrim dhe të vazhdojmë jetët tona, sepse ndikon në ekonomi, shëndet mendor, mënyra sesi po rrisim fëmijët. Unë personalisht besoj tek vaksina, tek shkenca dhe tek protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë, kështu që të gjithë duhet të vaksinohemi nga mosha 18 vjeç dhe të gjithë ata që kanë patologji dhe probleme me shëndetin të vijnë të vaksinohen”, apeloi ajo.
/r.e/





























