TIRANË 16 korrik /ATSH-I. Vata/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar lidhur me zhvillimet e një dite më parë në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, si edhe për debatet e zhvilluara pas analizës së zgjedhjeve të 25 prillit.
“Është bërë rrugë tanimë që disa media raportojnë për mbledhjet e kryesisë së PD siç u leverdis atyre apo kush qëndron pas tyre. Edhe për mbledhjen e mbrëmshme ka ndodhur e njëjta gjë. Kur “lajmet” i japin mediat e Ramës unë as e marr mundimin t’u përgjigjem apo t’i përgënjeshtrojë, po për fat të keq “viktima” për mbledhjen e fundit janë bërë dhe media pranë opozitës”, shprehet ai.
Paloka thekson se “nuk ka patur sherr në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, po nëse do arrinim objektivat, do ishim në pushtet”.
“Për sqarimin e tyre po sidomos të opinionit, mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së PD nuk ka patur as “sherre”, as “përplasje”, po diskutime si në çdo mbledhje për të mirën e punës. Kjo mund të duket habi për atë krahun tjetër, po nuk ka pse të duket e habitshme për PD. Ajo që unë dua të sqaroj është se as dje dhe asnjëherë tjetër unë nuk kam thënë që “Durrësi i arriti objektivat” e për më tepër të debatoja për këtë, se pastaj nuk do isha unë me këmbë në tokë. Nëse do arrinim objektivat dhe projeksionet, pavarësisht manipulimeve që u bënë, ne do ishim në pushtet. Po objektivi ynë nuk u arrit për një arsye që nuk ka shqiptar që nuk e di, e që është manipulimi me të gjitha mënyrat i zgjedhjeve të 25 prillit. Kjo del qartë dhe në analizën e bërë, por e përsëris nuk ka shqiptar që nuk e di, i madh apo i vogël, i majtë apo i djathtë qoftë. Të tjerat nesër në Kuvend”, shprehet Paloka.
/r.e/























