Ballina Flash

Qeveria e Kosovës lehtëson masat antiCOVID-19

PRISHTINË, 15 korrik/ATSH/- Qeveria e Kosovës ka lehtësuar masat antiCOVID, ku tashmë do të lejohet mbajtja e dasmave, fejesave, festave familjare e mbrëmjeve të maturës deri në orën 01:00.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e qeverisë, organizimi i eventeve të tilla duhet të bëhet vetëm me kushtin që të shfrytëzohet vetëm 50% e kapacitetit, e jo me më shumë se 300 persona.

Me lehtësimin e masave do të lejohet edhe veprimtaria e klubeve të natës, të cilave u lejohet muzika deri në orën 01:00. Ndërsa, shërbimeve të gastronomisë do t’u lejohet puna deri në orën 23 në ditët e punës, përveç të premtes e së shtunës kur puna iu lejohet deri në orën 00:00.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh se lehtësimi i masave vjen pas uljes së rasteve pozitive dhe rekomandimit të IKSHPK-së.

Sipas vendimit, qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.

Qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh.

Ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës për personat të cilët kanë vizituar Indinë, Brazilin dhe Afrikën e Jugut në dy javët e fundit, përveç shtetasve të Kosovës, personave me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, diplomatëve të huaj dhe personelit mjekësor, të cilët me hyrjen në Kosovë duhet të paraqesin test RT-PCR negativ për COVID-19, të bërë në 72 orët e fundit dhe të cilët duhet të karantinohen në shtëpitë (vendin e banimit) e tyre për katërmbëdhjetë (14) ditë, duke u testuar dy herë në javë. Karantina mund të ndërpritet me paraqitjen e testit RT – PCR negativ për COVID-19 të bërë jo më herët se pesë ditë pas hyrjes.

Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Punëdhënësit publikë apo privat udhëzohen të ju krijojnë mundësinë që të punojnë nga shtëpia.

Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i ekskursioneve dhe shëtitjeve grupore.

Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS apo të Komunave, lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si gjatë shfaqjeve ashtu edhe gjatë ushtrimeve).

Lejohet organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.  Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 15% të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse./KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – 42 viktima dhe dhjetëra të zhdukur pas shirave të furishëm
Artikulli tjetërKushi për programin “Fulbright”: Projekte të përbashkëta shkencore SHBA-Shqipëri