MADRID, 3 korrik /ATSH-MIA/ – Një nga futbollistët më të mirë të botës, Cristiano Ronaldo u ngjit në majë për sa i përket të ardhurave nga reklamat në profilin e tij në Instagram duke larguar aktorin amerikan Dweyn Johnson.
”Futbollisti portugez 36-vjeçar, i cili ka 308 milionë ndjekës në Instagram, mund të kërkojë 1,6 milionë dollarë për një postim reklamues në profilin e tij”, tha kompania “Hopper HQ”, e cila merret me marketingun e rrjeteve sociale.
Aktori Johnson, i njohur me pseudonimin “The Rock”, mund të fitojë 1,52 milionë dollarë për një reklamë në Instagram, në të cilin ka 280 milionë ndjekës.
Në vendin e tretë është këngëtarja amerikane e muzikës pop Ariana Grande, e cila për një reklamë në profilin e saj në Instagram mund të mbledhë 1,51 milionë dollarë.
Futbollisti argjentinas Lionel Messi (224 milionë ndjekës) nga një reklame në profilin e tij në Instagram mund të fitojë 1,1 milionë dollarë. /os/























