Ballina Aktualitet

Kuvendi miraton 4 projektrezoluta dhe 3 akte normative

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Kuvendi miratoi në seancës e sotme plenare katër projektrezoluta lidhur me veprimtaritë vjetore të institucioneve të pavarura kushtetuese ose të krijuara me ligj, tre akte normative në lidhje me furnizimin e mëtejshëm me vaksina dhe situatën e pandemisë, një projektligj dhe dy projektvendime.

Pasi katër drejtuesit e institucioneve të pavarura ose të krijuara me ligj raportuan për Kuvendin lidhur me veprimtarinë e tyre vjetore për vitin 2020, Kuvendi votoi projektrezolutat e tyre me rekomandimet përkatëse.

Projektrezoluta e Kuvendit për veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm u miratua me 88 vota pro, 3 kundër, 4 abstenime. Projektrezoluta e Kuvendit për KLP-në u miratua me 90 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Projektrezoluta e Kuvendit për KLGj-në u miratua me 87 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenime.

Lidhur me vijimin e furnizimit të vendit me vaksina, Kuvendi miratoi tekstin e marrëveshjes me distributorin e autorizuar, si edhe marrëveshjen finale.

Akt normativ “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes së furnizimit, ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin e Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET A.S”, u miratua me 86 vota pro, 4 kundër dhe 5 abstenime.

Akti normativ “Për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar të furnizimit, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin e Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET” A.S, u miratua me 86 vota pro, 4 kundër dhe 5 abstenime.

Akti normativ “Për disa ndryshime në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar”, që parashikonte ndryshimin e disa penaliteteve të mëparshme në lidhje me lëvizjet jashtë orarit policor dhe orarin e muzikës në mjediset e mbyllura bare dhe restorante, u miratua me 87 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime.

Po ashtu, Kuvendi miratoi me 92 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane për projektin “Aftësi për punë” faza 2, 2019-2023″. Projektligji synonte ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane për projektin “Aftësi për punë”, faza e dytë, 2009-2013, nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Në përfundim të seancës plenare u miratua projektvendimi i Byrosë së Kuvendit, “Për miratimin e Planit Strategjik të Kuvendit të Shqipërisë, 2020-2025”, me 87 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenime, si edhe projektvendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve, në afërsi të rrugës bregdetare, Vlorë-Orikum”, me 86 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim./m.m/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Merkel: Koncepti i strategjisë “NATO 2030” përgjigje për të gjitha sfidat
Artikulli tjetërKosovë, asnjë humbje jete dhe 5 raste të reja me COVID-19