Ballina Flash

OBSH: Vaksinimi me Coronavac, vendim i drejtë

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Vendimi i Shqipërisë për të vaksinuar me “Coronavac” në një kohë kur ende nuk ishte shprehur OBSH, për përfaqësuesin e saj në vendin tonë, Gerald Rockenschaub ishte i drejtë.

Në një intervistë televizive, shefi e Zyrës së OBSH-së në Shqipëri, thotë se përfshirja e Sinovac në përdorim emergjent do ndihmojë ndjeshëm në përballimin e pandemisë.

“Mendoj se ishte një vendim i mirë, sepse pavarësisht mungesës së lejes emergjente, kishte studime dhe miratimin e enteve rregullatore kineze që garantonin siguri dhe efikasitet të vaksinës. Përfshirja e Sinovac në përdorim emergjent bën që çdo vend të mund ta përdorë atë, gjithashtu është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë”, tha ai.

Pengimi i qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar jashtë kufijve për shkak të përdorimit të  vaksinës kineze, për shefin e Zyrës së OBSH në Shqipëri është diskriminues.

“Gjithmonë ka pasur disa rezerva kundra pasaportës jeshiles dhe gjithë atyre iniciativave për të lidhur udhëtimin me vaksinimin e popullsisë, për arsyen e thjeshtë që ne akoma kemi një numër të konsiderueshëm shtetesh ku vaksinimi nuk është akoma i disponueshëm për popullsinë. Ndaj kjo mund të jetë e lidhur me diskriminimin  kundër atyre që nuk janë aq me fat që të kenë akses për vaksinimin. Prandaj ne kemi disa rezerva për këto vende jashtme, gjithsesi këto gjëra u takojnë autoriteteve”, tha ai.

Për përfaqësuesin e OBSH-së në Shqipëri, situata e COVID në vend paraqitet e mirë. I pyetur për masat antikovid të ndërmarra deri tani, Rockenschaub thotë se ato janë të duhurat.

“Mendoj që në Shqipëri jemi në rrugë të duhur dhe masat e marra janë të duhurat. Shikojmë shifra të ulëta infektimesh dhe vaksinimi po vijon. Përhapja e infeksionit është e ulët. Por nuk duhet të kalojmë në eufori deri në fund të pandemisë”, tha ai.

Mutacioni indian i cili tashmë ka marrë emërtimin virusi delta, për OBSH nuk përbën shqetësim, për sa kohë vendet janë të fokusuara tek vaksinimi i popullsisë.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë/ Asnjë viktimë dhe 12 raste të reja me COVID-19
Artikulli tjetërMiqësorja me Uellsin/ Veseli dhe Ramadani: Jemi ekip i mirë, japim maksimumin në këto dy ndeshje