LUBJANË, 29 maj /ATSH-AFP/ – Dhjetëra mijëra sllovenë u mblodhën në qendër të Lubjanës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit konservator, Janez Jansa, ndërkohë që vendi po përgatitet të marrë presidencën e Bashkimit Europian (BE).
Manifestimi, me një përmasë të pazakontë që prej disa vitesh, denoncoi devijimin autoritar të drejtuesit 62-vjeçar, i cili i mbijetoi një mocioni shkarkimi.
“Stop fashizmit, tani zgjedhje! Stop jansizmit, tani zgjedhje!”, dëgjoheshin zërat në turmë.
Shumë manifestues ishin me biçikleta, simbol i lëvizjes, e lindur një vit më parë, pas rikthimit në pushtet të Jansas, por që është intensifikuar që prej fundit të prillit.
“Rrëzimi i qeverisë nuk mund të jetë zgjidhje, por ai është i nevojshëm dhe duhet të ndodhë sa më shpejt për të filluar një dialog për të ardhmen e shtetit tonë”, tha Miha, një militant ekologjist.
Jasa Jenull, një prej organizatorëve, vlerësoi numrin e manifestuesve në rreth 40 000, ndërkohë që televizioni publik përmendi shifrën 20 000 duke u bazuar në disa vlerësime./ /ec/












