TIRANË, 25 maj /ATSH – I. Vata/ Komisioni Hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, vendosi në fund të mbledhjes së sotme hartimin e raportit përfundimtar për shkarkimin e tij.
Kryetari i Komisionit, Alket Hyseni tha se “në bazë të provave të administruara, postimeve të ndryshme, pamjeve filmike, reagimet e komuniteteve, të gjykohet mbi bazë të respektit të Kushtetutës, të ligjeve të Republikës dhe të jemi sa më objektiv, përtej emocioneve dhe bindjeve politike dhe përkatësisë politike të secilit nga ne”.
Anëtarja e Komisionit, Klotilda Bushka tha se, “në kuptimin procedural hetimi është mbyllur, ne nuk do të kërkojmë më prova te tjera dhe nuk kemi nevojë për të hulumtuar apo hetuar mbi çështje të tjera, por është radha të shqyrtojmë këtë provë dhe secili nga ne ka të drejtë të krijojë bindjen e vet në lidhje me gjetjet dhe rezultatet që vijnë nga ky proces hetimor”.
“Jemi një Komision Hetimor që po hetojmë shkeljet e kryera nga Presidentit siç parashikohet në kërkesën e 49 deputetëve dhe në vendimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe objekti i hetimit, është hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga Presidenti, gjatë fushatës dhe ditën e heshtjes zgjedhore dhe në 25 prill, si në ditën e heshtjes zgjedhore përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Verifikimi i pasojave të këtyre akteve në parim me raportin e unitetit popullit, prishjen e ekuilibrit politik, prishjen e qetësisë publike, nxitjen e urrejtjes she dhunës, vemjen në rrezik të jetës së njerëzve, ndërhyrjen dhe intimidimin e institucioneve publike, dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të vendit si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjik të Shqipërisë. Verifikimi i akteve sjelljeve dhe qëndrimeve të caktuara të Presidentit me raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese”, tha ajo.
Në vijim, Bushka shtoi se “pretendimet lidhen me këto shkelje: Shkelja e betimit të Presidentit që bënë fjalë për nenin 88 pika 3 e Kushtetutës, shkelja e detyrimeve kushtetuese të Presidentit për të qenë përfaqësues i unitetit të popullit, neni 86 pika 1 e Kushtetutës, shkelja e detyrimeve kushtetuese për të mos ushtruar aktivitet tjetër përveç aktiviteti të Presidentit neni 89 i Kushtetutës, shkelja e detyrimeve kushtetuese për të mos ushtruar asnjë kompetencë që nuk është e parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj, neni 94 i Kushtetutës, cenimi i të drejtave kushtetuese të individëve, cenimi i procesit zgjedhor, cenim i sigurisë dhe i rendit, cenim i marrëdhënieve me partnerët strategjik të Shqipërisë, cenim i imazhit dhe reputacionit të vendit, cenim i figurës së institucionit të Presidentit, abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit”.
“Ky komision duhet të hetojë dhe të jap konkluzione në lidhje me ekzistencën e këtyre shkeljeve si dhe të vërtetojë që këto shkelje janë të rënda në mënyrë që të japim përgjigje kërkesës së kolegëve deputet. Në bazë të nenit 90 pika 2 të Kushtetutës shprehimisht thuhet: “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”, prandaj bazuar në këtë parashikim të Kushtetutës është detyrë e këtij komisioni të shqyrtojë, të hetojë dhe të analizojë dhe të jap gjetje në lidhje me ekzistencën e shkeljeve, dhe nëse shkeljet nga ky proces hetimor janë të një natyre të rëndë, për të justifikuar propozimin për shkarkimin e Presidentit nga 49 deputetë”, tha ajo.
Anëtarja e Komisionit Hetimor, Vasilika Hysi tha se Presidenti Ilir Meta ka kryer shkelje të rënda duke shkelur parimin kushtetuese.
Në lidhje se a është udhëhequr nga e drejta Presidenti në funksionet e tij, Hysi tha se mjafton të shohim bazën ligjore.
“Nuk ka bazë ligjore, por ka detyrimin si President i Republikës që të respektojë Kushtetutën dhe kompetencat që i jep Kushtetuta. Në Kodin Zgjedhor, nuk ka ndonjë kompetencë, nuk ka të drejta as të mbledhim ankesa, as ti shqyrtojmë, as të kërcënojë as të certifikojë zgjedhjet, as edhe t’i paragjykojë. Në këtë kuadër parimi i ligjshmërisë, që është parim kushtetues, është cenuar rëndë nga veprimet e Presidentit. E para, sepse ka shkelur kompetencat dhe e dyta edhe brenda kompetencave që ka të drejtë të ushtrojë dhe veprojë edhe aty ekziston parimi i shtetit të së drejtës, pra nuk mund të marrë kompetenca të vlerësojë prokurorinë, gjykatat, Policinë e Shtetit, sepse funksionon parimi i ndarjes së pushteteve. Në rastin konkret veprimtaria ekzekutive e institucionit të Presidentit ka cenuar rëndë parimin e ndarjes së pushteteve, megjithëse ai nuk ka pushtet dhe nuk ka të drejtë të ndërhyjë”, u shpreh Hysi.
Ajo shtoi se kur flasim për parimin e ligjshmërisë, jo vetëm kompetencat duhen respektuar por edhe veprimtaria në tërësi brenda kompetencave duhet të jetë e ligjshme.
“Pra flas për ligjshmërinë formale edhe juridike dhe materiale juridike. Parimi i ligjshmërisë dhe i sundimit të së drejtës, janë parime bazë, janë parime kushtetuese. Në vlerësimin tim që të dyja parime janë shkelur dhe kjo shkelje, është shkelje e rëndë”, theksoi Hysi.
Në fund Kryetari i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni deklaroi se Komision Hetimor do të hartojë raportin përfundimtar për shkarkimin e Presidentit dhe t’ja dërgojë seancës plenare.
“I bashkohem të gjithë qëndrimit të kolegëve që jemi para përmbushje se gjithë elementëve të shkeljeve të rënda, jo 1, se do të mjaftonte dhe secila më vete për të legjitimuar shkarkimin e Presidentit, por tani kemi një tërësi shkeljesh së rënda kushtetuese të cilat na bëjnë ne që të vijojmë punën me hartimin e një raporti drejtuar seancës së seancës plenare, ku të rekomandojmë shkarkimin e Presidentit të Republikës. Pastaj do të jetë seanca e Kuvendit që pavarësisht qëndrimit të këtij komisioni, mund të miratojë raportin, mund të mos miratojë, mund të marri vendimin për shkarkimin e Presidentit dhe përcjellë Gjykatës Kushtetuese apo jo”, theksoi Hyseni.
Hyseni tha se na duhen dy relator, një nga përfaqësuesit e mazhorancës një nga opozita, Klotilda Bushka dhe Arlin Çarçani që të paraqesin një raport paraprak për ta parë dhe për të konkluduar brenda javës me miratimin e raportit përfundimtar.
Në fund me vota unanime u miratuan dy relatorët që do të paraqesin raportin për shkarkimin e Presidentit Meta.
/r.e/























