SAN FRANCISKO, 20 maj /ATSH-AFP/ -Fama, vërtetësia dhe respektimi i rregullave: Twitter sqaroi sot kriteret e tij për dhënien e distinktivit blu, që do të thotë se një llogari është e certifikuar dhe për këtë arsye më e besueshme, apriori, sesa ato të përdoruesve të zakonshëm.
“Distinktivi i lejon përdoruesit në Twitter të njohin më mirë ata me të cilët bisedojnë dhe të përcaktojnë nëse janë të besueshëm, gjë që, sipas hulumtimit tonë, nxit biseda më të qeta dhe më të informuara”, shpjegoi rrjeti social në një njoftim për shtyp.
Platforma po përpiqet të jetë më transparente në lidhje me një proces të konsideruar tepër të errët nga shumë përdorues.
Nga sot, përdoruesit e pacertifikuar që dëshirojnë të marrin distinktivin do të mund të aplikojnë për ta marrë.
Për t’u kualifikuar, ata duhet të bien në një nga gjashtë kategoritë e identifikuara: qeveria, biznesi, shtypi, argëtimi, sportet (dhe videolojërat), aktivistët.
Pritet të shtohen kategori të tjera, për shembull, për shkencëtarët dhe liderët fetarë.
Rrjeti social, që aktualisht ka rreth 360 000 profile të verifikuara, ka mobilizuar ekipe për t’u marrë me ortekun e mundshëm të kërkesave në ditët dhe javët në vijim.
Ata do të jenë përgjegjës për vlerësimin e famës së kandidatëve, por edhe për verifikimin nëse ata janë ata që thonë se janë dhe se respektojnë vlerat e shfaqura nga platforma./ /ervo/























