Ballina Kosova

Pacolli: Është koha që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së

PRISHTINË, 2 gusht/ATSH/-. Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli përshëndeti miratimin e axhendës së re të kryesimit britanik të Këshillit të Sigurimit, e cila nuk parashikon raportimin e rregullt tre-mujor të UNMIK-ut, duke krijuar një realitet të ri.

“Mirëpresim dhe përshëndesim marrjen e kryesimit të Këshillit të Sigurimit nga ana e Mbretërisë së Bashkuar. Mospërfshirja e raportimit mbi Kosovën në axhendën për muajin gusht është një sukses për Kosovën dhe shtetet aleate dhe partnere të saj”, shkruan Pacolli në “Facebook”.

Ministri Pacolli u shpreh se “ne, për shumë kohë kemi kërkuar, që të ndryshohet formati tre-mujor i raportimit. Ky është edhe një mesazh i qartë për njohjen e arritjeve dhe zhvillimeve të gjithanshme pozitive në Kosovë. Këshilli i Sigurimit gradualisht po e njeh realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe është koha, që Kosova të bëhet anëtare e plotë dhe e barabartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFoto/Veliaj mban premtimin për Laprakën, del në dritë një tjetër bllok banimi në Njësinë 11
Artikulli tjetërNë 7 muaj, mbi 3 milionë turistë zgjodhën Shqipërinë