Ballina Flash

Gjuha angleze që në klasën e parë

TIRANË, 3 prill/ATSH/ Pajisja e brezit të dekadës tjetër me njohuritë bazë për t’i hapur rrugën investimit në dije në shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematikë është një ndër prioritetet e Partisë Socialiste në Planin e Veprimit për dekadën e ardhshme.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, tek Këndi i Fjalës në Bylis, u shpreh se një prej pikave të planit të veprimit është që gjuha angleze të nisë të mësohet kudo që në klasën e parë dhe të gjithë fëmijët të mësojnë anglishten dhe gjuhën bazë të komunikimit dixhital.

“Ndërkohë është edhe arsimi, që ka të bëjë me fëmijët tanë, me ta ardhmen tonë. Ne do të fusim gjuhën angleze për të gjithë, qysh në fillim dhe brenda kësaj dekade, ne duam që të gjithë ata që e bëjnë shkollën në Shqipëri të flasin anglisht. Do i japim prioritet teknologjisë së re, për të rinjtë dhe të rejat, duke synuar rritjen e vendeve të punës dhe gjithashtu që këto vende të jenë të paguara sa më mirë”, – tha Rama.

“Nga ana tjetër, kërcënim i madh është që ata gjithçka mund ta kthejnë pas, siç e kanë bërë gjithnjë, sa herë e kanë marrë detyrën. Ju patët këtu një kryetar bashkie, katër vite të humbura kot. Me ta është kohë e humbur. Është kohë e humbur dhe Shqipëria s’ka kohë për të humbur për të pushuar, jo më për të fjetur gjumë. Shqipëria ka nevojë për më shumë punë, punë dhe punë… Çdo ditë e më shumë punë dhe askush tjetër nuk e bën dot këtë”, – theksoi Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInvestimet në portet turistike në mandatin e tretë/Porti i Durrësit transformon pozicionin e Shqipërisë në Mesdhe
Artikulli tjetërRama për Bashën: Përdora gjithë arsenalin e barcaletave të mia që të mos ma zinte gjumi në tavolinë deri sa bëmë marrëveshjen