Ballina Flash

Transformimi i bujqësisë nga e mbijetesës në sipërmarrëse

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se opozita u thotë shqiptarëve atë që do të dëgjojë, ndërsa qeveria ka një Plan Veprimi të qartë.

Duke folur në një takim me fermerë në Moravë, Rama tha se, “sot ne kemi një palë që ka dalë dhe u thotë të gjithëve atë që duan të dëgjojnë, “Kap ça të kapësh”. Dhe më tipikja është do ulim sigurimet shoqërore dhe do rrisim pensionet. Domethënë do ulim prodhimin e qumështit dhe do rrisim prodhimin e djathit. Domethënë do t’i japim sapunin për djathë, ta hajë kush ta hajë. Shumë e thjeshtë”.

“Ne nuk mund të bëjmë këtë. Ne jemi qeveria e Shqipërisë. Dhe do të jemi qeveria e Shqipërisë. Ne kemi Planin e Veprimit dhe Plani i Veprimit, është shumë i qartë, për të gjithë sektorët se çfarë do të bëjmë konkretisht me laps e me letër”, tha Rama.

“Edhe ne kemi qenë në opozitë. Edhe ne kemi bërë një program. Edhe ne kemi kërkuar votën, duke u bazuar tek një dëshirë shumë e madhe për transformim. Por tjetër është kur ti del dhe këndon në fushatë, pa pasur asnjë ditë këmbët në ujë, tjetër është kur qeveris, sepse kur qeveris e di çdo të thotë të kesh këmbët në ujë”, theksoi Rama.

“Dhe për më tepër kur shohim se çfarë ndodh me programin, me llafet e këngës për bujqësinë, është për të qeshur e për të qarë. Ne e kemi shumë të qartë vizionin dhe falë jush ne nuk është se flasim për një gjë që e kemi parë diku tjetër. S’është më kjo histori. Deri përpara disa vitesh ishte kështu. E kishim parë diku tjetër, ose në shumë vende të tjera dhe thonim do ta bëjmë edhe këtu. Po nëse s’do ishit ju dhe ata si ju në të gjithë Shqipërinë, neve sot prapë do ishim duke folur gjëra që ishin dëshira. Sot ne e kemi realitet që kemi hyrë në rrugën e transformimit të bujqësisë, nga një bujqësi e mbijetesës, siç e gjetëm, në një bujqësi sipërmarrëse, biznes. Sipërmarrje fitimprurëse, jo vetëm për një e dy, po për rrjete të tëra njerëzish”, tha Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria mund të bëhet kampione në Ballkan për turizëm, agroturizëm dhe eksporte bujqësore
Artikulli tjetërPrinci Albert: Disa drama familjare nuk bëhen publike