TIRANË, 23 mars /ATSH – I. Vata/ Ekipet e bashkisë Bulqizë vazhdojnë punën për hapjen e rrugëve mbuluar nga bora dhe janë në gatishmëri për të përballuar situatën.
Lajmi bëhet i ditur nga bashkia Bulqizë, e cila njofton se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar një sërë vështirësish në të gjithë territorin e saj.
“Krahas bllokimit të disa prej rrugëve që lidhin fshatrat në zona të thella, janë dëmtuar gjithashtu edhe disa shtylla elektrike, të cilat kanë shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë në disa zona të bashkisë. Teksa ekipet e bashkisë kanë mundësuar lëvizjen e plotë brenda qytetit, gjatë gjithë natës dhe ditës së djeshme kanë punuar për rregullimin e linjës elektrike dhe hapjen e rrugëve në zonat më të thella të bashkisë Bulqizë”, thuhet në njoftimin e bashkisë.
Po ashtu, Bashkia Bulqizë u bën apel përdoruesve të automjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të përdorin zinxhirë kur duhet të lëvizin.
Administratorët e të gjitha njësive janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo shqetësimi të banorëve.
/j.p/r.e/












