TEL AVIV, 11 mars /ATSH-DPA/ – Vaksina antiCOVID-19 e zhvilluar nga kompania farmaceutike gjermane “BioNTech” dhe partnerja e saj amerikane “Pfizer” mbron, gjithashtu, edhe nga infeksioni asimptomatik, sipas një studimi izraelit të botuar sot.
“Studimi, i bazuar në të dhënat e mbledhura gjatë vaksinimit në Izrael, tregon se vaksina jo vetëm që i mbron personat nga COVID-19 i rëndë dhe vdekja, por është gjithashtu 94 % efikase në parandalimin e infeksionit asimptomatik”, thanë në një deklaratë të përbashkët Ministria e Shëndetësisë e Izraelit, “BioNTech” dhe “Pfizer”.
Kjo do të thotë se personat e vaksinuar mund të mos infektojnë të tjerët që nuk e kanë marrë ende dozën e vaksinës, duke thyer zinxhirët e infektimit.
Rezultatet nuk janë botuar ende në një revistë mjekësore të vlerësuar nga kolegët, por janë komunikuar vetëm nga kompanitë.
Studimi, gjithashtu, konfirmon gjetjet e mëparshme në lidhje me forcën e imunitetit pas një doze të dytë “BioNTech/Pfizer”, me 97 % efikasitet në parandalimin e simptomave, rasteve të rënda dhe vdekjeve, sipas deklaratës./ /ervo/




















