TIRANË, 10 mars /ATSH/ Toni Gogu prefekti i Tiranës, është i 11-ti në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Në një prononcim për mediet ai tha se, “PS është një forcë politike e hapur që gjen kurajon e guximin, që të mund ta hapi veten e vet edhe për të rinjtë si unë”.
“Kjo u dedikohet të gjithë atyre socialistëve të vjetër që kanë kontribuar me vite të tëra dhe kanë vendosur kësaj radhe të mbajnë mbi shpatulla të rinjtë si unë. Por gjithashtu i dedikohet banorëve socialistë të Vaqarrit, Pezës, Ndroqit që më kanë dhënë besimin t’u shërbej atyre dhe padyshim kryetarit të PS dhe drejtuesit të qarkut Tiranë”, – tha ai.
Gogu vuri në dukje se, “nuk mund të quhen show mbi 1 mijë banesat individuale të rindërtuara gjatë vitit të kaluar, 1600 shtretërit që u shtuan në 4 spitalet kovid, ngritja e shkollave të reja, ku 4 të tilla janë vetëm në Pezë”.
“Sot është evidente të shohësh që Shqipëria është një kantier i madh jo vetëm rindërtimi, por edhe i bluzave të bardha kundër pandemisë. Shqipëria është një kantier reformash në të gjithë sektorët e vendit, për të kapur kohën e humbur, të atyre shoumenëve që na akuzojnë për show”, tha Gogu.
Ai vuri në dukje se, mes programit të PS-së dhe atij të PD-së ka ndryshim të thellë dhe radikal. “PS ka në fokus vemendjen ndaj qytetarit, për t’iu gjendur pranë atyre ashtu siç bëri pas tërmetit, përballimit të pandemisë e në çdo drejtim tjetër.
Ne duam të ndahemi nga e kaluara e emigracionit, e padrejtësisë dhe të shkojmë drejt integrimit”, – tha Gogu. /j.p/r.e/






















