TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ I vlerësuar sot nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si një nga 12 personalitetet në botë “kampionë” në luftën kundër korrupsionit, ish-kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dovrani në një intervistë televizive u shpreh se ndihet i nderuar dhe krenar për këtë vlerësim të lartë të bërë nga DASH, duke shtuar se ky vlerësim nuk është vetëm për të, por për të gjithë magjistratët e tjerë në vend që punuan për drejtësinë.
“Personalisht ndihem shumë krenar dhe i vlerësuar që një vlerësim i tillë më vjen nga DASH. Është një çmim, që ka të bëjë dhe vlerëson njerëz që punojnë pa u lodhur për të luftuar fenomene korruptive kudo në botë, secili në vendin e tij. Natyrisht që është vlerësim i lartë, dhe mbi të gjitha unë do të thoja se nuk më përket vetëm mua personalisht, por e ndaj dhe i përket të gjithë magjistratëve të tjerë të cilët ndër vite nëpërmjet ushtrimit të detyrës kanë bërë maksimumin e mundësive të tyre që edhe në Shqipëri, drejtësia të ketë kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Unë kam qenë një prej ekspertëve të nivelit të lartë, kam qenë njëri prej tyre, s’mendoj se kam ndonjë meritë të veçantë. Kam bërë maksimumin e mundshëm, që Reforma në Drejtësi të hartohej në cilësinë më të mirë të mundshme. Ajo po ecën në rrugën e duhur, jo pa probleme. Një reformë kaq e thellë, kaq e shtrirë në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë, mendoj se ka ecur në mënyrë shumë të suksesshme. Reforma ka ecur edhe më mirë se çfarë mendoja”, – tha Dvorani.
“Unë gjithnjë kam bërë detyrën time. S’ka pasur rëndësi për mua se cili ka qenë personi, apo objekti i gjykimit. Unë kam marrë vendim sipas bindjes sime të brendshme, në më shumë se 15 vite karrierë kam mbajtur një standard për këdo që kam patur përpara, pavarësisht se sa i fuqishëm ishte personi përballë në gjykim. Çështjet janë me short, nuk i zgjedhim. Unë kam bërë detyrën time në respekt të Kushtetutës”, – tha Dvorani.
Dvorani tha se, “edhe në cilësinë e kryetarit dhe anëtarit të KED kam bërë detyrën time sipas interpretimit dhe kuptimit që unë kam për Kushtetutën dhe ligjin, pa u ndikuar nga askush. Për sa i përket kallëzimit dhe çështjes që është në ndjekje nga SPAK, nuk mund të them asgjë. Për sa më është kërkuar prej tyre, unë kam respektuar organin e Prokurorisë. Unë jam subjekt i një procedimi dhe jam i detyruar të ndjek dhe të respektoj qëndrimet e tyre. Unë nuk mund të bëhem prokuror i prokurorëve, apo gjykatës i tyre apo gjykatësve. Në dijeninë time çështja mbetet e hapur”, – tha Dvorani.
“Reagimet e personave, të cilitdo qoftë do i lexoj, po nuk kam ndërmend të bëj komente për to. Mafia ndërkombëtare është diçka e pakomentueshme. Ajo që mua më intereson është vlerësimi që kanë bërë SHBA për personin tim, duke më bërë të ndihem krenar për veten dhe shumë kolegë të mi, pra që është çmimi kampion në luftën antikorrupsion, të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi”, – tha Dvorani.
/r.e/























