Ballina Aktualitet

Basha të tregojë lidhjet me kompanitë ruse

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155656744816523/

TIRANË, 17 Mars/ATSH/ – “Lulzim Basha duhet të tregojë se nga i ka gjetur paratë për të paguar lobimin në Amerikë dhe lidhjet e tij me kompanitë ruse”, tha të shtunën, përmes një deklarate për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Ai kërkoi që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike të marrë të gjithë përgjegjësitë për financimin e paligjshëm në kohën e “Çadrës së Republikës së Re”.

“Kanë kaluar shumë ditë, e Lulzim Basha nuk arrin dot t’i përgjigjet disa pyetjeve të thjeshta: Së pari, si shpjegohet që Lulzim Basha thotë se i ka paguar lobuesit të tij në Washington vetëm 25 mijë dollarë, ndërsa kompania lobuese Muzin, që ka firmosur kontratë me Lulzim Bashën, deklaron se ka marrë plot 525 mijë dollarë nga Partia Demokratike?! Nga kanë dalë gjysmë milion dollarët shtesë?”, shprehet Balla, ndërsa kërkon shpjegime se përse këto fonde nuk janë deklaruar në KQZ si shpenzime të fushatës zgjedhore, siç parashikon ligji shqiptar.

Po ashtu, Balla kërkon që “PD të sqarojë se cili është burimi i këtyre parave”.

“Cila është lidhja e vërtetë mes Lulzim Bashës dhe biznesmenëve rusë që kanë në pronësi firmën Biniatta, e që kanë paguar plot 150 mijë dollarë të tjera kompanisë lobuese Muzin?!
Çfarë është kjo dhuratë ruse për Lulzim Bashën dhe përse i është dhënë? E çka është më e rëndësishme, çfarë i ka premtuar Lulzim Basha në këmbim biznesmenëve rusë”, shprehet Balla.

Sipas tij “deklarata e Bashës se nuk ka dijeni për 150 mijë dollarët që janë paguar për të është absurde, qesharake dhe papërgjegjshmëri totale”.

“Dhe nuk mund të jetë papërgjegjshmëria, alibia e mbrojtjes për Lulzim Bashën. Vetëm Lulzim Bashës i ndodh që një biznesmen rus i paguan 150 mijë dollarë dhe “tavarish” Luli vetë nuk di gjë. Shqiptarët duan të dinë të vërtetën”, vijon deklarata e Ballës.

Edhe brenda Partisë Demokratike, sipas tij, janë të shumtë zërat publikë tashmë që kërkojnë të dinë të vërtetën.

“Ne duam të dimë si e ka financuar Lulzim Basha fushatën e shpifjeve dhe të nxirjes së imazhit të Shqipërisë në institucionet dhe median amerikane. Është një dëm i madh që i është bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve, por sot është momenti që Lulzim Basha të tregojë nga i ka gjetur paratë për të paguar lobimin në Amerikë dhe cilat janë lidhjet e tij me kompanitë ruse”, thotë më tej Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.

Balla ngre pyetjen nëse këto kompani shërbejnë vetëm si lavatriçe për të pastruar para, apo janë burim i drejtpërdrejtë financimi për fushatën e Lulzim Bashës.

“Sa kohë në kontratën e deklaruar nga vetë lobisti në Departamentin Amerikan të Drejtësisë është firma dhe numri i pasaportës së Lulzim Bashës, i takon Prokurorisë ta thërrasë një orë e më parë Lulzim Bashën për të dhënë shpjegimet e nevojshme si personi kryesor i dyshuar për një sërë veprash penale, e për ta zbardhur një orë e më parë këtë skandal tepër të rëndë”, përfundon Balla./m.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPORT – Spalletti: Duhet ta tregoj se e meritoj Interin
Artikulli tjetërGoditja e 7 grupeve kriminale, dëshmi e Forcës së Ligjit