TIRANË, 15 shkurt /ATSH – I. Vata/ Bashkia e Bulqizës ka hapur rrugët rurale të bllokuara nga reshjet e borës në Fushë-Bulqizë, Gjoricë, Shupenzë, Zerqan, Ostren, Trebisht e Martanesh.
Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla i cili shprehet se reshjet e dëborës që ranë gjatë ditëve të fundit dhe temperaturat e ulëta shkaktuan një situatë të vështirë në qarkullimin në pothuajse të gjitha njësitë administrative të bashkisë Bulqizë.
“Ekipet e punës dhe borëpastrueset e bashkisë kanë bërë një punë intensive për të hapur rrugët e bllokuara në qytet, Fushë-Bulqizë, Gjoricë, Shupenzë, Zerqan, Ostren, Trebisht e Martanesh. Bashkia Bulqizë ka ndjekur dhe po ndjek nga afër situatën kudo që ka pasur bllokim të rrugëve, duke punuar pareshtur ditën dhe natën”, shprehet ai
Po ashtu, kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, u bën apel të gjithë përdoruesve të automjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë këtyre ditëve dhe të përdorin zinxhirë aty ku shfaqet rrezik rrëshqitjeje.
“Bashkia Bulqizë do të jetë në krye të detyrës 24 orë në ditë, duke iu përgjigjur çdo nevojë që mund të lind për banorët tanë”, shprehet ai. /j.p/r.e/






















