TIRANË, 5 janar/ATSH – I. Vata/ Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot në përvjetorin e lindjes At Anton Harapin, pushkatuar nga regjimi komunist.
At Anton Harapi lindi më 5 janar 1888, në Shkodër. Studioi për teologji dhe filozofi në Hungari e më pas filloi punë si meshtar në Grudë. Më 1910 jep mësim në Kolegjin e Fretënve, Shkodër. Më 1918-1919 ishte famullitar në Malësinë e Madhe.
Më 1922-24 ishte bashkëthemelues e drejtues i grupit atdhetar Ora e Maleve. Punoi si mësues filozofie në gjimnazin “Illyricum” dhe më 1924 bëhet drejtor i tij. Më 1930-36 drejtoi revistën “Hylli i Dritës”.
Gjatë kësaj periudhe shkruan, rreth 70 artikuj në revista të ndryshme dhe boton disa libra. Më 1940, zgjidhet anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Më 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku qëndroi deri në fund të vitit 1944. U arrestua më 5 qershor 1945 e më pas më 20 shkurt 1946 u pushkatua. /j.p/r.e/























