TIRANË, 5 janar /ATSH/ Eksportet e prodhimeve të detit “Made in Albania” u rritën me 12.6% në 10-mujorin e vitit 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Ekspertët e sektorit shprehen se treguesit e eksporteve nga portet kryesore të vendit (Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Sarandë) në sektorin e peshkimit janë të kënaqshme, falë investimeve që janë ndërmarrë vitet e fundit, ndonëse në kushtet e tkurrjes së aktivitetit për shkak të pandemisë Covid-19.
Vendet e BE-së (Italia e Gjermania) vijojnë të jenë destinacionet kryesore të eksporteve shqiptare të peshkut, ndërkohë që vijon normalisht edhe furnizimi i tregjeve të vendit me peshk e fruta deti.
Në total harta e eksportit të peshkut nga Shqipëria është zgjeruar vitet e fundit në 11 shtete të ndryshme, duke shënuar rritje të eksporteve në volum dhe vlerë.
Politikat lehtësuese në mbështetje të peshkimit i kanë dhënë impuls të ri këtij sektori.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se eksporti i peshkut dhe prodhimeve të detit po shkon drejt katërfishimit, krahasuar me vitin 2013. Vetëm gjatë vitit 2019 vlera e eksporteve shqiptare të peshkut arriti në 100 milionë euro. Rritje e mëtejshme me 24,5% është shënuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Rritja e sektorit të peshkimit në Shqipëri është impresionuese dhe aspak e rastësishme, por rezultat i politikave si dhe dëshmi e pakontestueshme e transformimit të madh që ka pësuar ky sektor.
Prej 7 vitesh peshkatarët e marrin naftën pa taksa, rrjetat dhe materialet e tjera të peshkimit janë përjashtuar nga TVSH-ja.
Qeveria së bashku me Bashkimin Europian do të vënë në dispozicion një grant prej 1.5 milionë euro për të subvencionuar 50% të shpenzimeve për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit.
Ndërkohë zhvillim ka marrë edhe industria e përpunimit të peshkut. Numri i ndërmarrjeve të përpunimit të peshkut në Shqipëri është dyfishuar që prej vitit 2013. Nga 16 ndërmarrje që operonin në këtë sektor në vitin 2013, sot numri i tyre ka arritur në 32.
Krahas rritjes së numrit të ndërmarrjeve aktive rritje ka njohur edhe numri i të punësuarve. Investimet e kryera nga këto ndërmarrje llogariten 60 milionë euro, ndërsa janë të punësuar mbi 5 mijë persona. e.xh/j.p/r.e/























