Ballina Aktualitet

Balla: Grabitja e protestës nga PD-LSI solli dhunën

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në mbrëmje, i ftuar në një studio televizive, se “grabitja e protestës nga ana e PD-LSI solli dhunën në protestë”.

“Në ditën e parë të protestës mendoj që ka pasur djem e vajza, burra e gra, që kanë dalë në protestë si qytetarë. Pastaj u vetëshpallën disa individë, njëri prej tyre me rekorde të theksuara kriminale që mori përsipër të drejtonte turmën. Prej atij momenti jo vetëm jam i bindur dhe kam informacione por protesta u grabit nga PD-LSI”, tha Balla.

Ai theksoi se “pati organizime të PD-së në disa qytete të Shqipërisë”. “Protestat fillonin kryesisht nga selitë e PD-së dhe LSI-së. Goditja e selisë së PS-së në Tiranë e Shkodër është vepër e ndërthurur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ajo që ndodhi në Shkodër është një skenar i turpshëm ku përfshihen këta të dy. Më vjen keq që Lulzim Basha nuk pati këllqe”, tha Balla.

Balla nënvizoi grabitjen nga politika të një proteste qytetare dhe shpërdorimin e saj dhe degradimin në akte dhune.

“Ka protestë, ka edhe dhunë. Nëse ish-deputetë të LSI-së dhe të PD-së do të ishin në protestë, nuk do të kishte asnjë problem, nëse nuk do të kishte pasur dhunë. Dhunën nuk e bëjnë qytetarët, por PD-LSI”, tha ai.

Balla tha se “dorëheqja e ministrit Lleshaj është një akt moral dhe standardi i vendosur është i PS-së”./m.m//a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak100-vjetori i kryeqytetit/ 100 libra të autorëve shqiptarë e të huaj për Shqipërinë mbërrijnë në Tiranë
Artikulli tjetërFOKUS – Europa pret Krishtlindjet mes kufizimeve antiCOVID-19