Ballina Flash

Të jesh apo të mos jesh (me maskë)? Kjo është çështja!

FILADELFIA, 13 nëntor /ATSH-DPA/ – Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tani thotë se maskat, madje edhe ato prej pëlhure, mbrojnë përdoruesit nga kapja si dhe nga përhapja e koronavirusit.

Por, kjo është e njëjta agjenci shëndetësore kombëtare që fillimisht tha se maskat nuk e mbrojnë publikun e gjerë dhe u nevojiten vetëm punonjësve të kujdesit shëndetësor.

Ishte e njëjta agjenci që, disa muaj më vonë, tha që një maskë nuk e mbron personin që e përdor, por gjithsesi duhet të mbani një të tillë për të mbrojtur njerëzit e tjerë në rast se jeni të infektuar, por nuk e dini.

Dy ditë më parë, CDC, duke parë përparimet shkencore në këtë fushë, tha se maskat me të vërtetë e mbrojnë përdoruesin pasi ato filtrojnë çdo sasi ajri.

Po aq domethënës është fakti që agjencia miratoi një politikë që është politizuar shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “maska për të gjithë”.

“Miratimi i politikës universale të vendosjes së maskës mund të ndihmojë në shmangien e bllokimeve në të ardhmen, veçanërisht nëse kombinohen me ndërhyrje të tjera jofarmaceutike si distancimi shoqëror, higjiena e duarve dhe ventilimi i duhur”, tha CDC.

Një analizë e cituar nga CDC-ja zbuloi se një rritje prej 15% e përdorimit të maskës mund të parandalojë humbje ekonomike deri në një trilion dollarë.

Këshilla e re nuk ka të ngjarë të ndikojë kundër atyre që vënë maskë, të cilët shpejt u futën në mediat sociale për të shprehur mosmiratimin.

Të tjerët gjetën që koha e evolucionit të udhëzimeve të CDC-së ishte e dyshimtë, duke ardhur vetëm disa ditë pasi presidenti i zgjedhur Joe Biden, një ithtar i maskës, mbizotëroi mbi presidentin Donald Trump, i cili tallej me mbajtësit e maskave, përfshirë Biden.

Për të qenë të sigurt, kuptimi shkencor i koronavirusit dhe mënyrës se si ai përhapet ishte në thelb inekzistent në fillim të pandemisë, kështu që ekspertët kishin pak informacion mbi të cilin mund të bazonin rekomandimet e shëndetit publik.

Por, kjo nuk i ndaloi ata të bënin deklarata të forta, si ajo, tashmë famëkeqe, e kryekirurgut amerikan, Jerome Adams në shkurt: “Seriozisht njerëz – NDALONI Blerjen e maskave! Ato nuk janë efektive në parandalimin e publikut të gjerë nga kapja e koronavirusit, por nëse ofruesit e kujdesit shëndetësor nuk mund t’i bëjë ata të kujdesen për pacientët e sëmurë, kjo i vë ata dhe komunitetet tona në rrezik!”.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor zakonisht mbajnë maskën N95, e ashtuquajtur kështu sepse ajo është krijuar për të filtruar 95 përqind të grimcave mikroskopike të ajrit.

Provat rrethanore dhe studimet laboratorike gjatë gjashtë muajve të fundit kanë demonstruar përfitimet e mbajtjes së maskave më pak të sofistikuara kirurgjikale dhe maskave prej cohe në publik.

Në fillim të gushtit, për shembull, studiuesit postuan një studim nga 200 vende që zbuloi se maskat zvogëlojnë vdekjet nga Covid-19.

“Politikat qeveritare që mbështesin mbajtjen e maskave nga publiku… lidhen në mënyrë të pavarur me vdekshmëri më të ulët nga Covid-19”, shkruajnë ata.

Një tjetër studim paraprak – i përditësuar në mënyrë të përsëritur që kur u postua për herë të parë në prill – shqyrtoi të gjitha provat ekzistuese dhe arriti në përfundimin se “ne rekomandojmë që zyrtarët publikë të nxisin fuqimisht përdorimin e maskave të fytyrës në publik”.

Jeremy Howard, një studiues në Universitetin e San Franciskos në Kaliforni i cili drejtoi rishikimin, i tha revistës “Nature” se “duhet të lini mënjanë matematikën, pasi mbajtja e maskës është padyshim një ide e mirë”./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPARIS – Castex: Franca zgjat lockdown me 15 ditë
Artikulli tjetërNATO për deklaratën e Vuçiç: Të fokusuar për të ofruar siguri për Kosovën