WILMINGTON, 7 nëntor /ATSH-AFP/ – Demokrati, Joe Biden, i shpallur fitues i zgjedhjeve në SHBA nga shumica e mediave amerikane, premtoi sot se do të jetë presidenti i të gjithë amerikanëve.
“Jam i nderuar dhe i përulur nga besimi që amerikanët më dhanë mua dhe zëvendëspresidentes së zgjedhur Kamala Harris”, theksoi Joe Biden në një komunikatë.
“Me përfundimin e fushatës, është koha të lëmë pas inatin dhe retorikën e zjarrtë dhe të bashkohemi si komb”, shtoi ai.
Joe Biden fitoi garën për Shtëpinë e Bardhë përballë Donald Trump, një fitore që shënon një kthesë historike për Amerikën dhe botën, pas katër viteve shkëputjeje nën presidencën e republikanit, sipas Associated Press, ABC, CNN dhe media të tjera amerikane.
Pas katër ditësh kandidati demokrat dhe ish-zëvendëspresidenti i Barack Obama u shpall fitues me të paktën 273 vota elektorale, falë një suksesi në shtetin kryesor të Pensilvanisë, sipas medieve kryesore amerikane ”New York Times”.
Ai do të bëhet presidenti i 46-të i SHBA-së./ /ec/




















