TIRANË, 22 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja u shpreh sot se Rezoluta për Antisemitizmin është ndër më të rëndësishmet dhe ndër dokumentet më me vlerë që ka miratuar Kuvendi dhe që promovon dimensionin human të Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Manja tha se “rezoluta pohon dimensionin human të shqiptarëve dhe solidaritetin tonë të njohur”.
“Ndihma dhe mbrojtja që shqiptarët i kanë bërë hebrenjve janë fakt i njohur botërisht dhe kanë kapërcyer prej kohësh marrëdhëniet mes dy popujve tanë. Kjo shërben si udhërrefyes për cilindo komb që do të kontribuojë për paqen dhe mbrojtjen nga rreziqet për popujt e tjerë”, tha ai.
Manja tha se “me këtë rezolutë, Kuvendi i bashkohet prirjes globale të luftës kundër antisemitizmit”.
“Populli shqiptar ka qenë gjithmonë një hap para politikanëve e shtetarëve të vetë në drejtim të shfaqjes së vlerave tona kombëtare. Ku fakt ka të bëjë dhe me terrenin e favorshëm që kemi ne si ligjvënës në hartimin e legjislacionit. Shqiptarët kanë mbrojtur hebrenjtë në kohët më të vështira të historisë së tyre, në kohën e Holokaustit famëkeq. Populli ynë i ka formuluar dhe zbatuar para nesh ligjet e kodet e pashkruara në mbrojtje të hebrenjve, edhe pse vetë ka qenë i rrezikuar ka marrë në sy rrezikun”, tha Manja.
Ai tha se “hebrenjtë kanë hyrë në Shqipëri me të gjitha mënyrat”. “Ligje nuk kishte, por ligjet e pashkruara i bënë vetë shqiptarët, shpesh edhe institucionet. Ne duhet të jemi krenarë se në Shqipëri nuk janë miratuar asnjëherë ligje antihebraike, as gjatë periudhës së pushtimit”, tha ai. /j.p/r.e/












