Ballina Bota

Sofje – Çel punimet takimi vjetor i Nismës 16+1

Sofje, 7 korrik /ATSH-BTA/ – Samiti i shtatë i krerëve të qeverive të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe Kinës hapi sot punimet në Sofje, Bullgari.

Takimi në kuadër të Nismës 16+1 mbledh së bashku liderët e Kinës, 11 vendeve të BE-së dhe të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalimin hapës, kryeministri bullgar Boyko Borissov u shpreh se takimi i sotëm synon të forcojë më tej Europën dhe t’u lejojë vendeve më pak të zhvilluara të BE-së të kapin ritmin e zhvillimit të vendeve të tjera.

“Me financimet shtesë nga Kina, ne do të mund të përfundojmë projekte të ndërlidhjes dhe infrastrukturës që aktualisht nuk janë në axhendn e BE-së,” deklaroi Borissov, duke vënë në pah edhe potencialet e jashtëzakonshme të zhvillimit të Ballkanit Perëndimor.

Në deklaratën e tij, kryeministri kinez Li Keqiang përsëriti që iniciativa 16+1 nuk synon të përçajë Europën, por të krijojë mundësi të reja zhvillimi.

“Procesi i bashkëpunimit duhet të jetë transparent, me kritere të drejta dhe të hapura tenderimi, në mënyrë që Kina të mund të marrë pjesë në projektet, që zhvillohen në rajon,” deklaroi Li.

Ai shtoi se marrëdhëniet mes vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe Kinës kanë shënuar progres të rëndësishëm në kushtet e rimëkëmbjes së ngadaltë të ekonomisë globale.

Kryeministri kinez deklaroi se bashkëpunimi ishte në interes të të gjitha vendeve në botë dhe Europë.

“Kjo iniciativë do ta ndihmojë BE-në në arritjen e synimeve të saj për begati dhe integrim të të gjithë Europës. Është gjithashtu në interes të Kinës. Europa është e rëndësishme për paqen dhe zhvillimin. Me një BE më të fortë, fuqitë e tjera botërore do të kërkojnë sinergji më të fuqishme në një botë më të ekuilibruar dhe do të nxisin demokracinë në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe tregtinë dhe ekonominë e lirë,” deklaroi ai.

Ai shtoi se një qendër e re do të informojë bizneset se si bashkëpunimi me Kinën duhet të përmbushë rregullat e BE-së si dhe si të përfitojnë ndihmë nga institutione ndërkombëtare financiare, siç është Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kryemistri kinez i kërkoi homologut bullgar që të angazhohet personalisht për hapjen e kësaj qendre.

/u.sh/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Forca e Ligjit”, sekuestrohen pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare
Artikulli tjetërFinlanda inkurajon Kosovën që të arrijë marrëveshjen me Serbinë