PARIS, 8 shtator /ATSH-AFP/ – Kortikosteroidet janë zgjidhja për të shmangur intubimin.
Tani dimë trajtime më të mira sesa në fillim të pandemisë për pacientët e prekur nga forma të rënda të COVID-19, gjë që mund të shpëtojnë jetë, sipas specialistëve në Francë dhe në SHBA.
“Shumë progrese janë bërë”, theksoi Eric Maury, president i Shoqërisë së Reanimacionit (SRLF).
“Mbijetesa është përmirësuar ndjeshëm në SHBA, në të gjitha grupmoshat”, theksoi Daniel Griffin, shef për sëmundjet infektive tek ProHEALTH, grup prej një mijë mjekësh të pranishëm në 22 spitale të rajonit të Nju Jorkut.
Pjesa e parë e këtij progresi janë medikamentet.
Që prej qershorit, disa studime kanë provuar përfitimet e kortikosteroideve tek pacientët e sëmurë rëndë me COVID-19.
Sipas një serie studimesh të botuara më 2 shtator në revistën mjekësore amerikane Jama, këto medikamente mundësojnë reduktimin me 21% të vdekshmërisë pas 28 ditëve tek pacientët e prekur nga COVID-19, duke luftuar inflamacionin karakteristik nga format e rënda.
Asnjë medikament tjetër nuk ka treguar një efekt domethënës në uljen e vdekshmërisë. Kjo ka bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të rekomandojë përdorimin sistematik të kortikosteroideve në pacientët me një formë të rëndë ose kritike të sëmundjes.
“Ky është një trajtim që mund të shpëtojë jetë”, thekson profesor Djillali Annane, nga spitali “Raymond Poincaré de Garches” (AP-HP), bashkautor i një prej studimeve.
Një ndryshim tjetër: “Ne i japim antikoagulantë shumë më herët dhe shumë më agresivisht”, shpjegon profesor Marc Leone, i SFAR (Shoqëria Franceze e Anestezisë dhe Reanimacionit).
“Qëllimi është parandalimi i formimit të mpiksjes së gjakut, një nga ndërlikimet serioze të COVID-19”, shtoi ai.
Përtej ilaçeve, është bërë përparim i madh në kujdesin respirator të pacientëve më të prekur, të cilët janë në kujdes intensiv.
“Në fillim, ne intubuam pacientët shumë shpejt. Tani, ne bëjmë gjithçka për të shmangur intubimin, thekson Kiersten Henry, infermiere në Spitalin MedStar në Olney (Maryland).
Intubimi përfshin futjen e një tubi në trakenë e pacientit për ta lidhur atë me një aparat të frymëmarrjes artificiale. E domosdoshme në disa raste, kjo procedurë invazive është shumë e rëndë dhe mund të shkaktojë komplikime, përfshirë infeksione.
“Ne shpejt e kuptuam se pacientët të cilët ishin vendosur në ndihmë të jetës kishin shumë pak shanse për të mbijetuar”, kujton profesor Griffin.
Në Gjermani, një studim i publikuar në fund të korrikut në revistën “The Lancet” ka treguar se të gjitha grupmoshat së bashku, 53% e pacientëve me COVID-19 të vendosur në aparate për frymëmarrje artificiale kanë humbur jetën (kjo u rrit në 72% në ato mbi 80 vjeç)./ /ec/












