BERLIN, 29 gusht /ATSH-DPA/ – Me rastin e 40-vjetorit të miratimit të sindikatës polake të Solidaritetit, “Solidarnosc”, kancelarja gjermane Angela Merkel kujtoi ndikimin e punëtorëve të kantierëve të Gdansk-ut në historinë gjermane.
“Solidarnosc” shpërtheu me një forcë që përfshiu edhe shoqëri të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë ato në Gjermani”, tha ajo.
“Gratë dhe burrat e “Solidarnosc” janë heronjtë europianë të lirisë, të cilët më formuan edhe mua, gjithashtu dhe që me protestën e tyre të guximshme, arritën t’i ndryshojnë gjërat për mirë”, vazhdoi kancelarja gjermane.
Nëpërmjet një marrëveshjeje me qeverinë socialiste të Polonisë, punëtorët e kantierëve në Gdansk formuan sindikatën e pavarur të Solidaritetit më 31 gusht 1980.
Solidariteti ishte një simbol i luftës për liri për shumë njerëz në vendet e tjera të Bllokut Lindor, të cilët shpresonin për reforma demokratike në vitet ’80./ /ervo/






















