TIRANË, 3 korrik/ATSH/ – Në një dalje publike për mediet, kreu i grupit parlamentar të LSI-Petrit Vasili ka thënë se LSI do të votojë kundër ligjit për Teatrin.
“Është pikërisht ligji për Teatrin, ligj i cili, po informojmë paraprakisht opinionin publik që Grupi Parlamentar i LSI-së do ta votojë tërësisht kundër dhe ky është një vendim unanim i grupit dhe shumë i motivuar, pasi lidhur me këtë ligj e vetmja gjë që mund të thuhet fare thjesht, është që në Shqipëri nuk mbizotëron dhe nuk sundon shteti i së drejtës, shteti që ecën dhe qeveris me ligje, por sundon tërësisht antiligji, i cili është ulur këmbëkryq në Kryeministrinë e vendit dhe udhëhiqet nga një inspirues dhe promovues i paligjshmërisë, në rresht të parë e në vijë të parë që është pikërisht Kryeministri i vendit”, – ka shpjeguar ai.
Vasili tha se LSI do të vazhdojë të mbështesë protestën kundër prishjes së Teatrit.
“E kemi mbështetur, do ta mbështesim këtë protestë dhe si njerëz të politikës dhe si përfaqësues të LSI. Por në rradhë të parë do ta mbështesim si qytetarë të mirë të Shqipërisë të cilët e duan artin por duan edhe ligjin”.
Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar të LSI-së ka siguruar që në këtë betejë, por jo vetëm, opozita është e bashkuar si asnjëherë më parë.
“Ne jemi të gjithë së bashku si opozitë, të motivuar si asnjëherë më parë, që t’i themi jo, t’i kundërvihemi si asnjëherë më parë, dhe duke e identifikuar qartë se cili është problemi dhe përqendrimi politik i yni do të jetë pikërisht në një betejë të përditshme me këtë arrogancë dhe papërgjegjshmëri qeveritare, e cila rrëmben pronën publike, rrëmben pronën private”, – ka thënë Vasili.
/z.tosku//a.g/




















