TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Drejtori i Emergjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi sot se në shkolla është shumë e ulët mundësia e infeksioneve, sidomos në fillore dhe në çerdhe.
Në një intervistë televizive, Brataj theksoi se “nuk ka sens mos të hapen shkollat, por janë vetë shkollat që duhet të bëjnë plan për respektimin e masave. Do të vlerësohet hap pas hapi çdo gjë”.
Sipas tij, hapja e shkollave kërkon veprim ndërinstitucional.
Lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi në vend, Brataj bëri të ditur se po përgatitet një plan për nga muaji shtator, kur situata mund të agravojë më tej, për të vlerësuar gjithçka hap pas hapi.
Ai shtoi se shumica e rasteve aktive po trajtohen nëpër banesa nga mjeku i familjes.
“Ky është një virus i ri, që ka një terapi simptomatike, që do të thotë çfarë të na shfaqet, do ta kurojmë. Pra, nëse kemi temperaturë, do të përdorim ilaçe kundër saj, nëse kemi kollë, do përdorim shurup, etj. Por, kur shfaqen simptomat e mungesës së frymëmarrjes, është mirë të shoqërohet me ekzaminim”, – tha Brataj./k.s//a.a/












