Ballina Ekonomi

Zero tatimfitimi kalon në Komisionin e Ekonomisë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, sipas të cilit zerohet tatimfitimi për biznesin me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero tha se nga kjo lehtësi do të përfitojnë 12 257 subjekte dhe se efekti në buxhet llogaritet rreth 680 milionë lekë.

“Këto të ardhura që do t’i mungojnë buxhetit do të ndihmojnë biznesin për t’u rimëkëmbur në këtë periudhë“, tha Vjero.

Gjithashtu, ndryshimet e propozuara në këtë projektligj kanë për qëllim harmonizimin dhe me ndryshimet ligjore të propozuara në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, ku parashikohet një rritje e pragut të TVSH-së nga 2 milionë lekë qarkullim vjetor që është aktualisht, në 10 milionë lekë qarkullim vjetor.

Relatori i këtij p/ligji, Anastas Angjeli bëri të ditur se qeveria duke ndjekur zhvillimin e pandemisë dhe ndikimin në ekonomi ka vazhduar në mënyrë të trefishtë mbështetjen për individin e biznesin.

“Këto tri shtylla janë kujdesi për shëndetin e njeriut, lehtësi në pagesat fiskale për individë dhe ndërhyrje e shtetit në ekonomi me instrumente përkatës si garancite sovrane. Kjo nismë e qeverisë për zerimin e tatimfitimit lehtëson biznesin. Biznesi i vogël duhet mbështetur”, tha Angjeli./a.gjonaj/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVijojnë riatdhesimet, kthehen 110 shtetas shqiptarë me qëndrim të paligjshëm në Francë
Artikulli tjetërTURQI – Ankaraja: Do të marrim masat e nevojshme për të mbështetur qeverinë e Tripolit