Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon
Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sattler në një intervistë për ATSH-në është shprehur se, “Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë rajon. Kjo për faktin e thjeshtë që shqiptarët jetojnë në 5 nga 6 shtete të rajonit. Në disa vende, si Shqipëri apo Kosovë, shqiptarët janë në shumicë, ndërsa në vende të tjera është një pakicë e konsiderueshme, si në Maqedoni, por edhe në Mal të Zi dhe Serbi.
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E shtunë, 30 Qershor 2018
TIRANË, 30 qershor/ATSH-Gjergji Mima/ – Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon dhe po e luan kartën e rajonit në mënyrë mjaft pozitive.
Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sattler në një intervistë për ATSH-në është shprehur se, “Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë rajon. Kjo për faktin e thjeshtë që shqiptarët jetojnë në 5 nga 6 shtete të rajonit. Në disa vende, si Shqipëri apo Kosovë, shqiptarët janë në shumicë, ndërsa në vende të tjera është një pakicë e konsiderueshme, si në Maqedoni, por edhe në Mal të Zi dhe Serbi. Për këtë Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon dhe më duhet të them që Shqipëria po e luan këtë kartë, kartën e rajonit në mënyrë mjaft pozitive”.
Sattler thekson se, “Shqipëria ka qenë një aktor konstruktiv në bashkëpunimin rajonal dhe kjo është shpërblyer”.
“Në dy vitet e fundit Tirana është bërë qendra e organizimeve të mëdha rajonale si Fondi i Ballkanit Perëndimor, por edhe zyra e bashkëpunimit rinor rajonal, që e ka qendrën këtu në Tiranë, e cila kërkon të kapërcejë barrierat, me të rinj që dërgohen në vende si Serbia apo Bosnja dhe anasjelltas për bashkëpunim kulturor. Mendoj se fakti që Tirana është përzgjedhur për të pritur këto dy evente është një fakt pozitiv”, – është shprehur ambasadori Sattler.
Ndërsa, shton ai, “një shembull tjetër është që Shqipëria së fundi mori postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal me znj Majlinda Bregu dhe kjo është një shenjë tjetër që roli i Shqipërisë në rajon është shumë i vlerësuar”. /r.e/






















