PRAGË, 27 qershor /ATSH-AFP/ – Qeveria e dytë e biznesmenit miliarder çek, Andrej Babis, e krijuar nga aleanca mes lëvizjes centriste dhe populiste ANO dhe të Partisë Social-demokrate, CSSD, dhe me mbështetjen e heshtur të komunistëve të KSCM-së u dekretua sot në Pragë nga presidenti, Milos Zeman.
« Qeveria jonë do të luftojë në mënyrë të veçantë për sigurinë e qytetarëve tanë, kundër migracionit të paligjshëm dhe për interesat tona në Europë », deklaroi Babis, gjatë ceremonisë.
« Qeveria jonë do të luftojë kundër korrupsionit, vjedhjes dhe burokracisë », shtoi ai.
Partia ANO e Babis, i pasuri i dytë në vend, themelues i gjigantit agro-ushqimor «Agrofert», që kontrollon gjithashtu dy nga të përditshmet kryesore fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të tetorit 2017.
Ai zotëron 78 prej 200 vendeve në Dhomën e Ulët, ndërsa CSSD-ja ka 15 deputetë ashtu si dhe KSCM.
KSCM-ja i premtoi Babis mbështetjen e saj në këmbim të posteve brenda strukturave të disa dhjetëra institucioneve të mëdha shtetërore. Kjo parti ka shprehur ndërkohë rezerva kundrejt disa ministrave dhe pritet të konfirmojë përfundimisht mbështetjen e saj ditën e shtunë.
Deputetët do të mblidhen më 11 korrik për të votëbesuar këtë qeveri të përbërë nga 10 ministra të ANO-së dhe pesë ministra të CSSD-së./ /v.b/ a.jor.























