Ballina Flash

Dibër/ Taskforca, kontrolle të vazhdueshme për zbatimin e protokolleve antiCovid

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ – Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu kërkoi sot kontroll të vazhdueshëm sipas rregullave për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Duke marrë shkas nga shtimi i rasteve të personave të prekur nga Covid-19, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu mblodhi sot në takim drejtuesit e institucioneve që janë pjesë e taskforcës së ngritur për zbatimin e masave parandaluese.

Prefekti, në vazhdim të rekomandimeve dhe kërkesave të mëparshme, sërish kërkoi nga të gjithë anëtarët e taskforcës të jenë të angazhuar vazhdimisht për të garantuar zbatimin e protokollit të masave të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Në këtë kuadër, ai kërkoi që të ushtrohet kontroll i vazhdueshëm sipas rregullave, së pari për të ndërgjegjësuar komunitetin për rëndësinë e shmangies së grumbullimeve dhe së dyti për ndërgjegjësimin e përfaqësuesve të bizneseve për zbatimin e përpiktë të protokollit të masave gjatë ushtrimit të aktivitetit tregtar, kryesisht në bare dhe restorante.

Sipas tij në këtë aspekt, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ndalimit të ofrimit të shërbimit në ambientet e mbyllura të bareve ose restoranteve.

Prefekti vuri theksin gjithashtu, në rëndësinë e mirëfunksionimit të sistemit të referimit me qëllim mundësimin e gjurmimit të çdo rasti (nëse paraqitet nevoja), dhe kryerjen e filtrimit të rasteve duke shmangur grumbullimet e panevojshme në spitalin rajonal.

Në përfundim të takimit Prefekti kërkoi të bashkëpunohet dhe të ndërveprohet institucionalisht për të patur nën kontroll të gjithë territorin dhe për të parandaluar sa është e mundur përhapjen e virusit në Qarkun e Dibrës.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKineastët e njohur kërkojnë përgjigje të bashkërenduar kundrejt GAFAN
Artikulli tjetërMiratohet fondi/ Mbi 510 milionë lekë për rikonstruksionet pas tërmetit në Kamzë dhe Kavajë