KOPENHAGË, 21 maj /ATSH-AFP/ – Një studim tregon se vetëm 1% e danezëve kanë qenë në kontakt me koronavirusin, gjë që nënkupton se potenciali për një rishfaqje të epidemisë ekziston, njoftoi sot një agjenci në varësi të Ministrisë daneze të Shëndetësisë.
Studimi u publikua nga SSI, një agjenci në varësi të Ministrisë daneze të Shëndetësisë dhe e ngarkuar me mbikëqyrjen e sëmundjeve epidemike.
Publikimi i këtij studimi ndodhi ditën kur parlamentarët danezë ranë dakord për një fazë tjetër të lehtësimit të kufizimeve në vend.
“Në 2 500 danezë, të zgjedhur rastësisht për studimin, 1 701 kanë pranuar të testohen për të parë praninë e antikorpeve të virusit COVID-19”, theksoi SSI.
Vetëm 12 janë testuar pozitivë, që korrespondon me një nivel prej 1,1%.
“Në nivel kolektiv ne nuk kemi rezistencë dhe kjo do të thotë se ekziston një potencial për një rishfaqje të epidemisë”, deklaroi profesor Jens Lundgren, specialist i sëmundjeve infektive në Rigshospitalet, një prej spitaleve kryesore në Danemark.
Më 15 prill, vendi filloi rihapjen e kopshteve dhe rifillimin e mësimit në shkolat fillore, me vendosjen e masave strikte të distancimit dhe higjienës./ /ec/ a.jor.























