BERLIN, 8 maj /ATSH-AFP/- Kreu i shtetit gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të nxirrte mësime nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duke zgjedhur për “më shumë bashkëpunim” në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
“Ne nuk duhet të pranojmë që rendi i paqes, i vendosur që nga viti 1945, të bëhet tym para syve tanë”, tha Steinmeier, në një fjalim në Berlin me rastin e 75-vjetorit të përfundimit të Luftës II Botërore.
“Ne kemi nevojë për më shumë dhe jo më pak bashkëpunim në botë, përfshirë edhe në luftën kundër pandemisë”, shtoi ai.
Presidenti gjerman, autoriteti moral i vendit, gjithashtu u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij që ta konsiderojnë 8 majin e vitit 1945 si një ditë “mirënjohjeje” dhe jo hidhërimi për humbjen dhe vuajtjet e pësuara gjatë bombardimeve aleate, dëbimin e popullsisë gjermane nga territoret e Europës Lindore ose humbjen e territoreve.
Duke përdorur termin “mirënjohje”, kësaj here Gjermania po ndërmerr një hap të mëtejshëm në aktin e saj të kujtesës, në një kohë kur ekstremi i djathtë po vë në dyshim kulturën e pendimit gjerman për krimet naziste, shtyllën e rindërtimit kombëtar pas luftës./ /ervo/ a.jor.























