Ballina Aktualitet

Meta: Të rishikohet paketa antishpifje

TIRANË, 21 prill/ATSH – A. Fortuzi/ Presidenti Ilir Meta reagoi sot lidhur me raportin e “Reporterë pa kufij” mbi lirinë e medias.

Meta thekson nëpërmjet një njoftimi për shtyp se “përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, është i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga të gjithë”.

“Mbështes plotësisht paralajmërimin e “Reporterëve pa kufij” se e ashtuquajtura paketë “antishpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri”, – vijon Meta.

“I bëj edhe njëherë thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara, që siç tërheq vëmendjen organizata botërore e gazetarëve, dhe ashtu siç kam paralajmëruar: shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik; shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit; Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese; shkel standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, – shton Meta.

“Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike”, – vijon Presidenti.

“Shqetësimi i “Reporterëve pa kufij” se përdorimi i fatkeqësisë së tërmetit, dhe të pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19 nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, kërkon reflektim serioz dhe të përgjegjshëm”, – shprehet Meta.

“Me ketë rast, shpreh mirënjohjen e thellë dhe solidaritetin e plotë për punën e shkëlqyer heroike të medieve, gazetarëve dhe stafeve të tyre mbështetëse nga vija e parë e raportimit, në shërbim të informimit publik, transparencës dhe mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, si dhe përsëris thirrjen për të mos i braktisur në këto momente tepër të vështira”, – shprehet Meta.

/a.g//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMarrëveshja për njohjen e Operatorit të Transmetimit të Kosovës, hap me rëndësi për vënien në punë të interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë
Artikulli tjetërSHBA – OKB: Pandemia do të dyfishojë krizën globale të urisë nëse nuk merren masa