https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155881744536523/
TIRANË, 14 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Janë 8264 qytetarë që kanë marrë zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”, ndërkohë që në total janë përfunduar së trajtuari 9349 raste ankesash.
Në një takim me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Edi Rama kërkoi që t’ u jepen qytetarëve sa më shumë arsye për të besuar tek bashkëqeverisja, jo si një slogan, por si një mekanizëm në dispozicion të tyre, falë platformës “shqiperiaqeduam.al”.
Kryeministri theksoi se pas takimit të javës së kaluar ka pasur një rritje të pjesëmarrjes në platformë dhe tanimë jemi në 10500 raste të evidentuara nga vetë qytetarët.
“Janë 8264 qytetarë që kanë marrë zgjidhje pasi më parë janë vonuar, penguar dhe torturuar në labirintin e burokracisë. Po ashtu, është shumë e rëndësishme që duke bërë prezente raste konkrete të përcjellim te të gjithë mesazhin që platforma nuk njeh privilegje për askënd”, – tha Rama.
Sipas tij, “platforma garanton barazi për gjithësecilin”. “Nuk ka asnjë rëndësi nëse jeton në qytet apo fshat, nëse je i pasur apo i varfër, ke një mbiemër të njohur apo krejt të panjohur, nëse je i moshuar apo i ri, burrë apo grua. Mjafton që si qytetar të shpenzosh maksimumi 3 minuta për të pasur në krahun tënd ministrin në fushën ku ka lindur shqetësimi yt dhe për të zgjidhur së bashku një problem, që të është bërë i pazgjidhshëm”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “është e mirëkuptueshme mungesa e besimit dhe hija e dyshimit, në inercinë e një rruge të gjatë dhe të lodhshme të së shkuarës, ku duhej miku dhe ryshfeti”.
Ndaj ne duhet të sjellim fuqinë e të gjitha provave të materializuara, tha Rama, duke u zotuar se “do të vazhdojmë të bëjmë çmos që t’u bëjmë të ditur njerëzve ndryshimin themelor”.
“Ka ndryshuar diçka themelore, zyrat e dikurshme të pritjes së popullit, të marrëdhënieve me publikun, letrave pa fund që nuk merrnin përgjigje, pritjeve sa për të larë gojën dhe radhëve që duan mik edhe për t’u dëgjuar ia ka lënë vendin një sportel i zyrës së ministrit që të gjithë mund ta kenë në xhep”, – tha Rama.






















