TIRANË, 10 mars /ATSH/ – Mbretëria e Bashkuar mbështetëse e fuqishme e bashkëpunimit rajonal
Gjatë qëndrimit në Shkup, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një takim me ministren për Fqinjësinë Europiane të Mbretërisë së Bashkuar, Wendy Morton.
“Pavarësisht largimit nga BE, Mbretëria e Bashkuar mbetet një mbështetëse e fuqishme e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”, theksoi Cakaj.
Më tej, Cakaj shprehu mirënjohjen ndaj Mbretërisë së Bashkuar, për mbështetjen e saj dhënë Shqipërisë në të gjitha fazat e zhvillimeve demokratike dhe në aspiratat e patjetërsueshme europiane.
Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj u shpreh se, bashkërisht me ministren Morton, vlerësuan nevojën për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe me disa marrëveshje të reja dhe gjithashtu u pajtuan për të shtuar komunikimin në një varg çështjesh të interesit të ndërsjellë.
/gj.mima/












